Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në një deklaratë për media ka theksuar se në Qeveri ka qëndrime kontradiktore për proceset eurointegruese të vendit dhe kjo është arsye edhe më e madhe për një seancë parlamentare ku kryeministri Mickoski duhet të deklarojë Planet e qeverisë për përparimin e vendit. Filipçe konsideron se qëndrimet e kundërta të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit për çështje evropiane Orhan Murtezani janë konfirmim i paaftësisë së Qeverisë për të ofruar një plan të qartë për procesin e integrimeve evropiane të vendit.
“Ka shumë njoftime nga kryeministri për një lloj mbështetjeje nga disa vende, për ndryshimin e kornizës së negociatave, diçka që gjoja do të përmirësonte pozicionin tonë në procesin e integrimit evropian. Por gjithçka është e mbuluar me mister dhe ne nuk dimë asnjë detaj. Kryeministri këtë e ka për detyrë ta njoftojë fillimisht Kuvendit, deputetëve të popullit dhe më pas qytetarëve. Ta dimë, tani që e ka ndalur në mënyrë të njëanshme rrugën e integrimit europian, diçka që e konsideroj dhe do ta përsëris, nuk ka të drejtë, as politike, as etike, morale, përkundrazi ka detyrim ndaj qytetarëve që ta vazhdojë atë rrugë që pritet nga shumica dërrmuese e qytetarëve dhe e vërtetuar nga mbështetja e madhe e qytetarëve në të gjitha sondazhet e deritanishme. Është vendi ku diskutohet”, tha Filipçe.
Filipçe theksoi se këto “tone disonante” duhet të sqarohen në Kuvend, sepse aty duhet të diskutohet për ardhmërinë e vendit dhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.
“Më vjen keq që ministri i tij Murtezani e ka mohuar në njoftimet e tij dhe ka deklaruar se gjoja ka mbështetje për miratimin e amendamenteve kushtetuese me efekt të vonuar. Vetë ministri tha se në përgjithësi nuk ka humor për një punë të tillë në asnjë vend të BE-së, mendoj se duhet të pastrohen ato deklarata konfuze, ato tone disonante në Qeveri që të lënë përshtypjen se ka mungesë të plotë të perspektivës deri në Parlament. Duhet të dimë se cili është plani i qeverisë, nëse ekziston fare dhe si do të vazhdojmë rrugën e integrimeve evropiane”- tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ai shtoi se LSDM tregon konstruktivitet në baza ditore për vazhdimin e rrugës së integrimit evropian të vendit, por fatkeqësisht nuk ka përgjigje nga kryeministri në atë drejtim.