Katër shoqatat atdhetare të Malësisë në SHBA, mundësuan që kontributet e të gjithë shqiptarëve të jenë të mundura nëpërmjet platformës GoFundMe, ka theksuar kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj.
“Çdo cent që dhanë qytetarët tanë do të mbes përgjithmonë i shkruar me shkronja të arta në historinë tonë dhe për këtë arsye kemi dashur që secili bashkëkombas i yni të jetë pjesë e realizimit të një prej ëndrrave më të mëdha të të parëve tanë – ardhjes së Skënderbeut në Tuz”, ka shkruar Dedivanaj.
Postimi i plotë i Dedivanajt në fb:
Të dashur bashkatdhetarë,
Ju njoftojmë se është mbyllur zyrtarisht procesi i donacioneve përmes platformës GoFundMe. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ndanë kohë dhe mjete financiare për të mbështetur një nga projektet më të rëndësishme atdhetare në historinë e vendlindjes sonë, pra për ndërtimin e shtatorës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Simbolika e bashkimit, të cilën kryeheroi ynë e promovoi gjatë gjithë jetës së tij, nxiti edhe popullin dhe komunitetin tonë që të bashkohet dhe të unifikohet, ku me veprimin e përbashkët të shoqatave “Malësia e Madhe NY”, “Malësia e Madhe Michigan”, “Malësia në Kaliforni” dhe “Jehona e Malësisë”, përmes këtij procesi, bënë të mundur që të gjithë bashkëkombasit tanë të bëhën pjesë e historisë kombëtare duke kontribuar dhe duke mbështetur këtë kauzë atdhetare. Pikërisht në këtë mënyrë, për të qenë të qartë dhe të saktë, dhe siç mund të shihej edhe gjatë gjithë procesit, vlen të theksohet se
edhe pse nuk kishte as munges fondesh dhe as munges vendosshmërie shoqatat unanimikisht vendosen qe ti jepet mundësia që të kontribuoj secili që kishte dëshirë në pjesmarrjen e këtij projekti i cili do të ndryshojë përgjithmonë pamjen e Malësisë sonë dhe do të avancojë të gjitha veprimtaritë tona atdhetare në drejtim të idealit të bashkimit kombëtar!
Paratë për realizimin e projektit asnjëherë nuk janë vënë në pikëpyetje, sepse projekti i ndërtimit të shtatorës do të financohej lehtësisht nga buxhetet e katër shoqatave tona, por nga ana humane nuk mund të lejonim që në këtë projekt madhor kombëtar të mos përfshiheshin vëllezërit dhe motrat tona. Çdo cent që dhanë qytetarët tanë do të mbes përgjithmonë i shkruar me shkronja të arta në historinë tonë dhe për këtë arsye kemi dashur që secili bashkëkombas i yni të jetë pjesë e realizimit të një prej ëndrrave më të mëdha të të parëve tanë – ardhjes së Skënderbeut në Tuz.
Po, Skënderbeu do të vijë në Tuz, ku më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, do të përurojmë solemnisht shtatorën për nder të tij në një atmosferë vëllazërore dhe kombëtare!
Edhe një herë, të katër shoqatat njëzëri falenderojnë të gjithë ata që morën pjesë në këtë projekt dhe ju njoftojmë se do të publikojmë emrat e të gjithë personave që kontribuan, përfshirë shumën monetare dhe të gjitha detajet e tjera.
Faleminderit dhe Zoti e ruajtë kombin Shqiptar!