Ziadin Sela me urdhër të Ali Ahmetit ka dy ditë që po përpiqet të
mbulojë disfatën e tyre. Njoftimet se do të propozojnë Ligjin për
Përfaqësim të Drejtë duken tejet joserioze.
Të ishin të aftë, do ta kishin zgjidhur këtë çështje kur ishin në
pushtet. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e Balancuesit,
është një konfirmim se BDI në vend që të përdorë funksionet në Qeveri
me LSDM-në e delegjitimuar për zgjidhje sistematike të statusit të
shqiptarëve, iu përkushtua grabitjes së parasë publike dhe pasurimit
personal.
Çdo ditë konfirmohet se gjithçka që është bërë gjatë regjimit të tyre
është sipërfaqësore, me motive populiste dhe për pikë politike ditore.
Gjykata Kushtetuese, përbërja aktuale e së cilës u votua pikërisht me
votat dhe ndikimin e BDI-së, ngriu përdorimin e Balancuesit,gjë që
paraqet një tjetër disfatë programore dhe kadrovike të politikave të
BDI-së.
Ky fakt nuk mund të fshihet me justifikimin se shumica e Badenterit
duhet të futet në Gjykatën Kushtetuese.
Koalicioni VLEN u shpreh qartë se Balancuesi është një koncept
joefektiv, sepse u bë mjet për keqpërdorime që kur maqedonasit filluan
të deklarohen si shqiptarë për t’u punësuar në administratën publike.
Prandaj, ne jemi duke hartuar një ligj për përfaqësim të drejtë, të
cilin do ta vëmë në shqyrtimin e publikut ekspert me debat publik, për
të marrë një zgjidhje efikase dhe të qëndrueshme që do të jetë
plotësisht e zbatueshme në praktikë dhe do t’u mundësojë shqiptarëve të
punësohen në institucionet shtetërore, në bazë të aftësive
profesionale dhe jo për shkak të përkatësisë partiake.
Ngrirja e balancuesit nuk do të pengojë punësimin e shqiptarëve në
organet e administratës shtetërore edhe në këtë periudhë të vakumit
ligjor, sepse është një nga parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe
kategori kushtetuese.