Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar përmes një statusi në Facebook për situatën momentale në Gjykatën Kushtetuese ku u zhvillua debate mbi “Balanserin” dhe u soll miratimi që balanser dhe punësime në baza etnike të mos ketë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Të gjitha nismat që lidhen me çështjet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe dhe çështje të tjera etnike në favor të komuniteteve jomaqedonase do të kenë të njëjtin fat si çështja e certifikatave të lindjes, respektivisht shfuqizimin e udhëzimit të ministrit të drejtësisë si dhe abrogimin e neneve përkatëse në ligj. Duhet theksuar se votimi i para një viti ishte i pastër etnik dhe majorizues; i tillë ishte edhe sot (6 vota maqedonase kundrejt 3 votave shqiptare dhe turke).
Dikur, elita politike maqedonase përdorte Kuvendin e Maqedonisë për të majorizuar shqiptarët. Tani, pasi e kanë të pamundur këtë në Kuvend, ata e kanë zhvendosur këtë praktikë në Gjykatën Kushtetuese.
Përderisa në Gjykatën Kushtetuese nuk ekziston votimi i dyfishtë për ligjet me Badinter, domethënë një mekanizëm mbrojtës për bashkësitë e tjera etnike, arroganca e elitës politike maqedonase do të rishfaqet, njësoj si në vitet 1991 apo 1997.
Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut po rrëshqet në një rrugë që është provuar të jetë fatale për të. Sot, shteti ynë po ndan rrugët: ose do të ecë drejt Europës, ose drejt “Srpski Svet”; ose do të mbetet Maqedoni e Veriut dhe Europjane, ose oligarkia maqedonase do ta bëj një pjesë të saj “Južna Banovina”.”, shkruan Lloga./TS/