Maqedonia e Veriut synon që deri në vitin 2050 të heqë dorë nga përdorimi i thëngjillit për nevojat energjetike, duke respektuar afatet e BE-së për kalimin në burimet e ripërtëritshme të energjisë, këtë e ka theksuar zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në Konferencën e 9-të Vjetore për Sigurinë Energjetike të Evropës Qendrore dhe Lindore në Uashington.
Tranzicioni nga thëngjilli deri në vitin 2050 kërkon mbështetje të fuqishme financiare dhe teknike. Ndihma dhe fondet janë kyçe për një transformim të qëndrueshëm dhe për të siguruar një kalim të drejtë për komunitetet e prekura”, tha Mexhiti.
Sipas tij përshpejtimi i tranzicionit energjetik kërkon angazhim transatlantik, me asistencë për përmirësimin e kornizave rregullatore dhe infrastrukturës energjetike. Krijimi i mekanizmave të financimit të gjelbër do të lehtësonte largimin nga qymyri dhe zhvillimin e energjisë së pastër, ndërsa bashkëpunimi rajonal përmes Komunitetit të Energjisë do të ndihmonte në hartimin e strategjive të përbashkëta për këtë qëllim.
“Duke marrë parasysh pozitën strategjike të Maqedonisë së Veriut në Ballkan, si dhe ndikimin e luftës në Ukrainë dhe influencën ruse, theksova nevojën për rritjen e përfshirjes së SHBA-së dhe BE-së. Kjo mbështetje është jetike për të siguruar pavarësinë energjetike dhe zvogëlimin e ndikimit rus në rajon”, vuri në dukje Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në Konferencën e 9-të Vjetore për Sigurinë Energjetike të Evropës Qendrore dhe Lindore në Uashington.