AKTUALE

Dedivanaj në përurimin e Kullës së Çun Mulës: Si gjithmonë ai i bashkon shqiptarët!

Në një ceremoni rasti, gjatë inagurimit të Kullës muze të Bajraktarit të Hotit, Çun Mulës, Agron Dedivanaj, Kryetar i shoqatës “Jehona e Malësisë”, mbajti fjalë rasti duke vlerësuar lart personalitetin historik të Çun Mulës.
“Diaspora shqiptare do të vazhdojë të mbështesë të gjitha nismat e shëndosha dhe patriotike në favor të përparimit, zhvillimit dhe bashkimit të kombit tonë”, ka deklaruar Dedivanaj.
Fjalimi i plotë i Dedivanajt para qytetarëve:
Të dashur vëllezër dhe motra,
I nderuar kryetar i shoqatës atdhetare “Kulla e Bajraktarit të Hotit”, z. Arian Bajraktari,
Të nderuar përfaqësues shoqërorë e politikë të popullit tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zoterinj
Është nder dhe privilegj të kem rastin të flas këtu para jush me rastin e inaugurimit të Kullës së rinovuar të Bajraktarit të Hotit, heroit tonë Çun Mulës. Është një kënaqësi të shoh vëllezërit dhe motrat tona nga të gjitha trevat shqiptare sot këtu, dhe ashtu siç Çun Mula gjatë gjithë jetës së tij theksoi forcimin dhe unitetin e popullit shqiptar, ashtu edhe sot figura e tij na ka mbledhur këtu për te inauguruar së bashku shtëpine e tij, shtëpinë tonë, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.
Çun Mula me trimërinë e tij, dëshmoi në shumë beteja se kur bashkohen shqiptarët nuk ka sulltan, as perandor apo krajl që mund t’i nënshtrojë apo shtypë. Shembulli më i mirë për këtë është beteja e famshme e Zharnicës, ku malsorët në krye me Çun Mulën arritën një fitore të madhe kundër ushtrisë së armatosur të Krajl Nikollës. Po ashtu, as forcat osmane nuk arritën planet e tyre antishqiptare, e dëshmi për këtë është udhëheqja legjendare e Çun Mulës gjatë betejës në Bajzë të Kastratit. Misionin e tij e vazhdoi nipi i tij Deli Meta, i cili ia kushtoi jetën mbrojtjes së tokës shqiptare, madje as pasuria e krajl Nikollës që iu ofrua nuk e tërhoqi nga rruga e tij atdhetare. Sepse ka diçka më të shtrenjtë edhe se medaljonet e arta të krajlit, dhe ky është kombi ynë i shenjtë shqiptar. Sot i kujtojmë me krenari veprat e tyre, të cilat nderojnë jo vetëm bajrakun e Hotit, por mbarë shqiptarinë. I gjithë ky avokim i përjetshëm për çështjen shqiptare na motivoi të aktivizohemi së bashku për të ndihmuar dhe mbështetur këtë nismë atdhetare për rinovimin e kullës së Çun Mulës. Me krenari ju njoftoj se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka përkrahur me të gjitha forcat e saj financiare dhe shpirtërore këtë iniciativë dhe shfrytëzoj rastin që si kryetar i shoqatës “Jehona e Malësisë” të falënderoj të gjithë bashkatdhetarët tanë nga diaspora të cilët morën pjesë me gjithë zemër në realizimin e kësaj dite – ditën e inaugurimit të këtij objekti madhështor. Diaspora shqiptare do të vazhdojë të mbështesë të gjitha nismat e shëndosha dhe patriotike në favor të përparimit, zhvillimit dhe bashkimit të kombit tonë.
Kudo që të ekzistojë nevoja, gjithmonë po aty do të jetë e pranishme edhe diaspora shqiptare, gjithmonë e bashkuar, asnjëherë e perçarë. Jemi të sigurt se kjo kullë e rinovuar do të jetë një forcë shtytëse drejt realizimit të aktiviteteve tona atdhetare të radhës. Vetëm së bashku mund të realizojmë atë çfarë kanë nisur të parët tanë, duke filluar nga Skënderbeu, e deri tek Ded Gjon Luli dhe Çun Mula, që është ideali i bashkimit kombëtar. Nga ky vend, me vendosmëri dhe besim ju them se rruga jonë e shenjtë drejt atij qëllimi po afrohet çdo ditë e më shumë dhe se begatia e kombit tonë do të jetë e përjetshme!
Edhe një herë ju përshëndes të gjithëve juve, me dëshirën për t’u mbledhur sërish në evente të bukura si kjo në të ardhmen e afërt.
Gëzuar, rrnoft Shqipria dhe I gjithë kombi shqiptar!
Agron Dedivanaj,
Kryetar i shoqatës “Jehona e Malësisë”

Related posts

Arsenali i gëzohet trofeut të Community Shield që e fitoi përballë Cityt

admin

Takim Kovaçevski – Vuçiq: Të mirat nga Ballkani i Hapur po bëhen realitet

admin

Fronti Europian nesër shpalos qëndrimin

Gjyla Halili