Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, gjatë ditës së sotme u takua me mërgimtarët, takim ky që qysh nga dita e djeshme e paralajmëroi, përcjell TV21. Mexhiti tha se ardhja e mërgimtarëve është dëshmi dashurie dhe atyre që janë në Maqedoni, i bën më të pasur e më të fortë.
Ai tha se mërgimtarët janë pjesë e rëndësishme e vendit dhe se kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm.
“Për mua ishte gëzim i madh, të rri e bisedoj me ju, që çdo ditë mbani gjallë frymën e Atdheut në zemrat tuaja! Me vite keni qëndruar larg, duke punuar dhe sakrifikuar, por lidhja juaj me vendlindjen ka mbetur e pandryshuar. Çdo hap që keni ndërmarrë jashtë vendit, çdo arritje dhe sukses, ju e keni sjellë në vendlindjen tuaj, e ky është një testament, një përmendore e dashurisë suaj të madhe, për Atdheun. E që neve, që jetojmë këtu, na bën te kuptojmë e të reflektojmë, se si e sa shumë duhet të punojmë për vendin tonë, e si duhet ta duam vendin tonë.
Ju, jeni pjesë e rëndësishme e jona! Dhe, ne jemi krenarë për çdo sfidë që keni përballuar, dhe për çdo arritje që keni realizuar. Kontributi juaj për vendin tonë është i i jashtëzakonshëm, dhe për këtë ju falënderojmë nga zemra”, tha mes tjerash Mexhiti.