Në prani të Zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, të Komunitetit Boshnjakë, deputetëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, pranë Memorialit kushtuar viktimave të Srebrenicës që gjendet në Çair, u përkujtuan sot viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës që ndodhi më 11 korrik të vitit 1995.
Kryetari i Çairit, Visar Ganiu gjatë fjalimit të tij shprehu dhimbjen e thellë për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga Gjenocidi në Srebrenicë dhe njëkohësisht shfaqi solidaritetin e sinqertë dhe përkrahjen e plotë për gjithë popullin boshnjakë.
“Ka plagë që nuk shërohen kurrë, ka dhimbje që nuk harrohen kurrë. Si sot e 29 vite më parë në Srebrenicë u vranë mbi 8,300 njerëz të pafajshëm, mbi 8,300 djem që ishin në lule të rinisë, e burra. Jeta e tyre u mor mizorisht. Më 11 korrik të vitit 1995 ndodhi Gjenocidi serb në Srebrenicë, i pari i përmasave të tilla i kryer pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore deri sot. Pra tanimë 29 vite bashkë me popullin boshnjakë kemi një plagë që do të kullojë gjithmonë dhe dhimbje për të cilën asnjëherë nuk do të gjendet shërim”, tha Ganiu.
Ai më tej përkujtoi se Memoriali kushtuar viktimave të Srebrenicës ku edhe u shënua sot 11 Korriku, është i vetmi i llojit të këtillë jashtë territorit të Bosnjës dhe që i dedikohet qëndresës epike të popullit boshnjak në përpjekjet shekullore për ekzistencë.
Ganiu duke përkujtuar në faktin se dy muaj më parë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, shtoi se sot viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës po i përkujtojmë bashkë me botën moderne.
Ndryshe, ngjarja përkujtimore pranë Memorialit kushtuar viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës u organizua nga Komuna e Çairit dhe Komuniteti Boshnjak.