Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti deklaroi se shkuarja e dy delegacioneve nga vendi në Samitin e NATO-s në Uashington të kryesuara nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe kryeministri Hristian Mickoski është për shkak të asaj që të dy kanë agjenda të tyre në ngjarje
“BDI-së gjithçka i pengon, nuk mund të përshtaten me realitetin e ri të të qenit opozitë. I ftoj ata të jenë opozitë konstruktive dhe t’i përkushtohen fillimisht reformave brenda vetes nëse duan të jenë aktor serioz në nënqiellin politik në Maqedoni në të ardhmen. Ndërsa fakti që kanë shkuar kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, që të dy janë figura kyçe politike, para së gjithash përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut për shënimin e NATO-s, sigurisht askush nuk pret që të kapen për dore dhe të shkojnë atje. Pra, të dy kanë agjendat e tyre, janë atje bashkë, mendoj se do të kenë një ngjarje të përbashkët dhe një darkë të përbashkët atje sonte. Sipas agjendës dikush ka shkaur më herët, dikush më vonë sepse edhe këtu kanë pasur aktivitete”, thotë Mexhiti në pyetjen e gazetarëve për reagimet në vend, pse dy delegacione të ndryshme udhëtuan në Uashington dhe pse në to nuk kishte përfaqësues nga Koalicioni “VLEN”,të cilat zëra i nxori BDI.
Mexhiti deklaratën e dha pas takimit që bashkë me ministrin e Politikës Sociale Fatmir Limani, kryetarin e komunës Çair, Visar Ganiu dhe deputetin Bekim Sali e kishin me përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve në Çair.
BDI opozitare gjatë fundjavës shprehu shqetësim që vendi për herë të parë prezantohet nga një delegacion monoetnik në Samitin e NATO-s në Uashington.
“Delegacioni monoetnik nga Qeveria monoetnike është një dëshmi shtesë se vazalët e VLEN-it i shumëzon me zero si pasojë e mungesës së legjitimitetit zgjedhor dhe etnik”, qëndron në kumtesën e partisë.
Nga koalicioni “VLEN” u përgjigjën se kryetari i Kuvendit, Gashi, si bartës i detyrës më të lartë shtetërore në pushtetin legjislativ, e ka agjendën e tij në Uashington, e cila organizohet që nga dita e zgjedhjes së tij.
“BDI-ja opozitare në vend se të punojë për reformimin e saj, merret me shpërndarjen e lajmeve të rreme. Asgjë nuk varet më prej tyre, e aq më pak se kush do të udhëtojë në SHBA dhe me kë do të takohet. Nëse do të kishin informacion më kohë nga partneret e tyre strategjikë, nuk do të turpëroheshin kështu. Por, kjo flet për kredibilitetin e tyre për të folur në emër të shqiptarëve. Neve na vjen keq që BDI-ja ka zgjedhur metoda shumë të gabuara për të krijuar pakënaqësi te shqiptarët”, bëhet e ditur në reagimin e “VLEN”.
Kryeministri Hristijan Mickoski, bashkë me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski, atë të Mbrojtjes Vlado Misajlovski dhe i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski janë nisur për vizitë zyrtare në SHBA, ku do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjithashtu, merr pjesë në Samitin Parlamentar të NATO-s, Uashington, informon shërbimi për informim i Kuvendit.