Për sulmin ndaj kapitenit shqiptar në Krivollak gjatë kursit seleksionues në Batalionin për forca speciale “Ujqit” është formuar komision i cili duhet të shqyrton dhe zbardh rastin. Varësisht raportit të komisionit do të veprohet në përputhje me ligjin. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Tiron Jajaga në deklaratë për Alsat tha se raporti i komisionit duhet të jetë gati deri më 20 qershor. Natën kur është sulmuar ushtarë shqiptar, Jajaga e ka vizituar në spitalin psikiatrik.
Kërkova formimin e një komisioni të veçantë i cili do të merret me rastin. Komisioni është i përbërë nga kryetari, nënkryetari dhe disa anëtarë të cilët deri më datën 20 të sjellin një raport për situatën. Presim që të del rezultati dhe raporti i komisionit dhe në bazë të tij, bazuar edhe në ligj dhe kompetenca bashkërisht me institucionet e tjera do të ndërmerren masa konkrete ndaj persona nëse është bërë tejkalimi i të drejtave që instruktorët dhe oficerët kanë gjatë atij kursi”, deklaroi Tiron Jajaga, Zëvendësministër i Mbrojtjes.
Por Shtabi i Përgjithshëm i ARM-së e nxjerr para aktit të kryer komisionin e sapoformuar. Sipas tyre, në bazë të vlerësimit të parë nuk është evidentuar tejkalim i kompetencave dhe thyerje e rregullores për seleksionim.
“Është evidentuar ngjarje e jashtëzakonshme, incident i cili lidhet me një pjesëtarë të armatës si pjesëmarrës në kursin seleksionues në batalionin e forcave speciale. Në bazë të vlerësimit të parë mbi rastin nuk janë evidentuar aktivitete të cilat bien ndesh me dispozitat e “Rregullores për mënyrën e seleksionimit e ushtarëve aktiv dhe ushtarëve profesionist në njësinë speciale të Armatës”. Hollësi për rastin nuk mund të jepen për shkak të hetimit të mëtejshëm të rastit nga komisioni përkatës”, thonë nga Shtabi i Përgjithshëm i ARM-së.
Sulmi fizik ndaj kapitenit shqiptar u bë në Qendrën e trajnimit ushtarak Krivollak. Ai është sulmuar nga të paktën 6 persona që dyshohet të jenë gjithashtu kandidat në kursin seleksionues. Është dërguar në spitalin shtetëror ndërsa më pas në spitalin psikiatrik në Bardovcë me qëllim që të paraqitet si person me të meta psikike, pasoja të cilat do t’i pamundësonin vazhdimin e kursit. Batalioni i “Ujqërve” vazhdon të mbetet i paprekshëm për shqiptarët. Veprimet e ndërmarra ndaj kapitenit shqiptar dhe mesazhi i dërguar deri tek kandidatët tjerë shqiptar pretendohet të jetë një skenar i mirë përgatitur për t’ia adresuar fajin pushtetit në ardhje, duke nxitur tensione ndëretnike dhe cenim të raporteve mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Jo zyrtarisht mësohet se struktura të larta ushtarake të ashtuquajtur të paprekshëm dhe familjarë të tyre mund të jenë të përfshirë në inskenimin e rastit, veprime të cilat duhet zbardhur nga komisioni përkatës i sapoformuar. /Alsat.mk