Ishte një moment testues për pavarësinë e Gjykatave në vend, sepse në gjitha sondazhet është dëshmuar se besimi në gjyqësi është jashtëzakonisht i ulët e kjo pëshkak të ndikimit politik. Pra, është krijuar perceptimi kolektiv mbi gjykatat që vendimet merren në bazë të ndikimit politik saktësisht partiak. Tani kur vendimi i KSHZ ka kaluar në Gjykatën Administrative për të vendosur saktësisht që a duhet të përsëritet vendimi në ato vendvotime ku është konstatuar se ka pasur parregullsi duke u bazuar në ankesat që janë dërguar nga partitë politike opozitare. Pra, tani Gjykata Administrative duhet të kalojë testin e pavarësisë së plotë në punën që e bën, e këtë test me shumë gjasë e kaloi me sukses duke respektuar vendimin e KSHZ-së me çka do të përsëritet votimi, shkruan Zhurnal.
Pavarësia e punës së gjykatave do të dëshmohet edhe me vendimin e Gjykatës Administrative –
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një ndër liderët e VLEN-it, Arben Taravari në lidhje me zhvillimet në Gjykatën Administrative për sjelljen e vendimit për rivotim shpreh se kryetari i Gjykatës Administrative ushtron presion ndaj gjyqtarëve.
“Nga mëngjesi kam informata se ka presion të jashtëzakonshëm prej kryetarit të Gjykatës Administrative, i cili ushtron presion ndaj gjykatësve të cilët duhet ta punojnë lëndën për rivotim. Uroj dhe shpresoj se gjykatësi ta mendon se gjykatësi mund të ketë përgjegjësi për të gjithë, duke përfshirë edhe gjykatësin në qoftë se vazhdojnë të ushtrojnë presion”, tha Taravari duke shtuar se gjykatësit duhet të vendosin pa marrë anë dhe në mënyrë të drejtë.
Taravari theksoi se BDI është mësuar që ta ketë gjykatën me vete dhe nën kontroll dhe se nuk është normale të ushtrohet presion ndaj gjyqtarëve.
“BDI është mësuar që ta ketë gjykatën e vete dhe nën kontroll të vet, dhe çdo gjë, si të vendosin në Reçicë ashtu të sillet vendim edhe gjykatësi. Besoj se kryetari i gjykatës duhet ta mendojë se pas 15 qershorit do të ketë Qeveri të re dhe nuk është normale që të bëhet presion ndaj gjykatësve për sjelljen e vendimit”, u shpreh Taravari.
Kjo është dëshmi që ndikimi partiak në gjyqësor nuk po merr fund, e reagimet e tilla të Taravarit ishin paralajmërim për çdo situatë që mund të ndodhë. Por, fatmirësisht Gjykata vendosi ngjashëm sikurse KSHZ në ato vendvotime ku ka pasur parregullësi do të përsëritet votimi përsëri duke garantuar procesin zgjedhor të plotë fer dhe demokratik.
Gjykata Administrative e kaloi testin e pavarësisë nga ndikimi politik –
Në 5 vendvotime në Zonën 5 zgjedhore dhe në 1 vendvotim në Zonën 6 zgjedhore do të ketë rivotim. Konkretisht, në Dollnen, në Krushevë, në Manastir, Ohër, Strugë dhe në Llërcë të Zhelinës do të përsëritet votimi. Gjykata Administrative mbrëmë vonë ka hedhur poshtë gjashtë asnkesa të koalicionit Fronti Europian, e cila në këtë gjykatë i ka kundërshtuar vendimet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, pasi ishin pranuar ankesat e koalicionit VLEN me pretendimin se ka patur parregullsi zgjedhore.
Me këto vendime të Gjykatës Administrative, do të rrezikohet deputeti i katërt i Frontit Europian në Zonën 5 zgjedhore, konkretisht deputeti Ismail Jahoski, si dhe deputeti i nëntë i Frontit në Zonën 6 zgjedhore, Fatmire Isaku. Në Zonën e 5 zgjedhore, LSDM-së i duhet vetëm 110 vota për t’ia marrë deputetin Frontit, ndërsa VLEN-i, nëse merr 370 vota më shumë se Fronti, mund ta marrë deputetin e tetë dhe Fronti ta humb deputetin e nëntë. Në këtë rast, rezultati në Zonën 6 zgjedhore do të mbetej 8-8 deputetë. Në Zonën 5 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VNRO, LSDM dhe Levica, ndërsa në Zonën 6 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VLEN-i.
Besimi në gjyqësi me këmbë të qelqta, vendimi i Gjykatës Administrative mund të shërbejë si rikthim shprese –
Një sondazh i OSBE-së që u publikua vitin që lamë pas zbuloi të dhëna shkatërruese mbi punën e gjyqësorit. 72 për qind e gjyqtarëve të anketuar nuk pajtohen se Këshilli Gjyqësor është mbrojtës i pavarësisë së gjyqësorit. Më shumë se gjysma e prokurorëve në shtet besojnë se këshilli i tyre nuk vendos në mënyrë të pavarur. Sondazhi vjen në një periudhë trazirash në këshillin gjyqësor që ka rezultuar me dorëheqje. Faktori ndërkombëtar e vlerësoi trupin si të paligjshëm.
Për më tepër, si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët publikë shprehën mosbesim të konsiderueshëm në punën e këshillave të tyre, ku tre nga katër gjyqtarë të anketuar u shprehën se nuk besojnë se Këshilli Gjyqësor mbron me sukses pavarësinë gjyqësore, ndërsa më shumë se gjysma e prokurorëve publikë të anketuar tregojnë se nuk besojnë se Këshilli i Prokurorëve Publikë merr vendime në mënyrë autonome dhe të pavarur.
Prandaj, për të ecur para e për synuar progres ekonomik e social duhet që Maqedonia e Veriut krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues. /Zhurnal.mk