AKTUALE

Ulja e numrit të të punësuarve në administratë, sfidë për secilën qeveri

Reformimi i administratës publike në Maqedoninë e Veriut është më se i nevojshëm, thonë njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, për të pasur një administratë, e cila u ofron shërbime qytetarëve në përputhje me kriteret e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), ajo duhet t’u nënshtrohet reformave dhe përfundimisht institucionet e shtetit nuk duhet të paraqesin strehë për ithtarët e partive politike në pushtet.


Për realizimin e reformave të thella në administratë janë zotuar të gjitha qeveritë në Maqedoninë e Veriut, por asnjëra s’ka marrë guximin që të realizojë reforma të thella, përkatësisht të bëjë shkurtime tek administrata.

Së fundmi, partia maqedonase, VMRO DPMNE, e cila doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, gjatë fushatës zgjedhore por edhe më pas, ka theksuar se prioritet për këtë parti është reformimi i administratës shtetërore, gjegjësisht krijimi i një administrate të vogël në numër, por shumë efektive me shërbimet ndaj qytetarëve.

Nga kjo parti kanë theksuar se do të rrisin funksionalitetin e institucioneve shtetërore përmes riorganizimit të ministrive, si dhe zvogëlimit të institucioneve shtetërore për 10 për qind, shfuqizimin e postit zëvendësdrejtor në institucionet e shtetit, si dhe zvogëlimin këshillave mbikëqyrës.

VMRO DPMNE-ja ka bërë të ditur se si udhëheqëse e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, e cila, siç kanë theksuar nga kjo parti, do të formohet brenda disa javëvr, qëllim parësor do të ketë riformatimin e një pjesë të ministrive, përkatësisht ministrive të caktuara do t’u jepen më shumë kompetenca. Sipas këtij plani, Ministria e Kulturës pritet që të jetë Ministri e Kulturës dhe Turizmit, kurse Ministria e Punëve të Jashtme do të transformohet në Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti.

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale do të quhet Ministria për Politikë Sociale dhe Demografi, ndërkohë që pjesa e punës do të kalojë te Ministria e Ekonomisë, e cila do të quhet Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Ndërkohë pritet që të formohen dhe dy ministri të reja: Ministria e Sportit dhe Ministria për Energjetikë dhe Miniera.

Borçe Davitkovski, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit thotë për Radion Evropa e Lirë se reformat në administratë i janë vënë si një nga detyrimet kryesore që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt BE-së. Profesor Davitovski sqaron se për transformimin e ministrive duhet të ndryshohet Ligji për organizimin dhe punën e organeve të administratës publike, për ç’gjë nevojiten dy të tretave e votave në Kuvend.

“Nëse sigurojnë një shumicë prej 80 deputetësh, kjo do të ishte mirë… Mendoj se vendit nuk i duhen më shumë se 12 deri në 13 ministri që do të mbulojnë resorë të caktuar”, vlerëson Davitkovski.

Megjithatë, Davitkovski thotë se kjo do të varet dhe nga qëndrimet e partnerëve të koalicionit.

“Apetitet e partnerëve të koalicionit janë ato që kanë imponuar rritjen e numrit të ministrive, madje dhe krijimin e ministrive pa resor, që të përfshihen partitë më të vogla që kanë ndihmuar marrjen e pushtetit nga partitë më të mëdha”, thekson Davitkovski.

Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut funksionojnë 1.371 institucione, përfshirë këtu dhe ministritë.

Në bazë të të dhënave të Regjistrit të Ministrisë së Shoqërisë Informative në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut punojnë 128 mijë e 879 qytetarë, ky numër me personat e punësuar me kontratë pune të kufizuar (kontratë mbi vepër) ky numër arrin në 160 mijë.

Nëse zvogëlohet për 10 për qind numri i të punësuarve në administratën e shtetit, ashtu siç synon VMRO DPMNE-ja, atëherë do të duhet të shuhen 137 institucione, përkatësisht nga puna duhet të largohen rreth 16 mijë administratorë.

Maqedonia e Veriut, aktualisht, ka 16 ministri dhe katër ministra pa resor.

VMRO DPMNE-ja zvogëlimin e të punësuarve në administratën shtetërore synon ta arrijë përmes transferimit të të punësuarve nga sektori publik në atë privat.

Për t’i joshur punëdhënësit që t’i marrin punonjësit e administratës, në programin e VMRO DPMNE-së theksohet se ato kompani që do ta bëjnë këtë, do të lirohen nga pagesa e kontributeve.

“Kjo është një mënyrë e mirë për të hequr qafe mbipunësimin dhe shkarkuar administratën e tejngarkuar me militantë partiakë, gjë që frenon të gjitha reformat e paralajmëruara në këtë sektor. Të kujtojmë se rreth 800 milionë euro në vit shkojnë për sigurimin e 160 mijë pagave për të punësuarit në administratë”, thotë Davitkovski.

Lidhur me këtë, Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë për Radion Evropa e Lirë se më së lehti do të transferohet ai kuadër që është i kualifikuar.

“Sektori privat ka nevojë për fuqi punëtore, e cila do t’i hyjë menjëherë në punë. Shtatë deri 10 mijë vende të lira ka aktualisht në sektorin privat. Kështu që, lirimi nga puna i administratorëve të tepërt nga sektori publik në atë privat duhet të ndodh, por ama paraprakisht duhet të ndërmerret një masë nga ana e Qeverisë për rikualifikimin e kësaj force punëtore në llogari të shtetit, që ky kuadër të jetë i dobishëm për sektorin privat me këtë dhe i pranueshëm”, thotë Halili.

Në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian apostrofohen si vërejtje ngecjet që ka Maqedonia e Veriut sa u përket reformave në administratën shtetërore.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian krahas uljes së numrit të të punësuarve në administratën publike, apostrofohet dhe nevoja e miratimit të një ligji që do të mundësojë digjitalizimin e administratës.

Nëpërmjet digjitalizimit krahas shërbimeve më cilësore dhe në një afat të shkurtër kohor, synohet shmangia e ndikimit politik në avancimin e kuadrit në administratë, përfshirë këtu dhe udhëheqësit e sektorëve, me çka synohet të imponohet meritokracia si kriteri bazë mbi të cilin do të ngrihen në detyrë punonjësit në administratë.

Në pjesë e ligjeve që janë me interes thelbësor për sa i përket realizimit të reformave në administratën shtetërore, që kërkohen nga Komisioni Evropian, nuk arritën të marrin dritën jeshile nga përbërja parlamentare mandati i së cilës kalon këtë muaj.

Ndër to janë Ligji për zyrtarët administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, si dhe Ligji për shërbimin e lartë drejtues, i cili është kyç për depolitizimin e punës së institucioneve publike.

Ligjet janë përgatitur me ndihmën e vendeve të BE-së dhe pikërisht për këtë arsye ekspertët në këtë fushë thonë se Maqedonia e Veriut do të marrë “raportin më negativ” nga Bashkimi Evropian për sa i përket reformën në administratën publike./REL

Related posts

Grubi: Bashkë t’i themi JO Rusisë dhe PO Europës!

Gjyla Halili

ME KRISTAQ PORODININ NË NDERIM TË NDERIT TË KOMBIT

Gjyla Halili

Qytetarët shprehin mirënjohje për punën e zyrtarëve policorë

admin