AKTUALE

KSHZ-ja shfuqizon votat në shtatë vendvotime! Konstatohen parregullsi në Zhelinë, Krushevë, Dollnen, Strugë dhe Ohër

Komisioni Shtetëror Zgjedhor dje në seancë publike e cila ka zgjatur deri në ora 4 të mëngjesit, ka miratuar gjithsej shtat ankesa, gjegjësisht ka shfuqizuar votimin në shtat vendvotime për zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën më 8 maj. KSHZ ka pranuar ankesën e koalicionit VLEN e cila ka të bëjë me votimin në vendvotimin 2102 në Zhelinë. Në ankesë thuhet se 110 votuesit të cilët kanë realizuar të drejtën e votimit, nuk kanë patur shenja gishti në pajisje, por kanë votuar vetëm me numrin amë dhe me skenim të letërnjoftimit. Arben Taravari pret që në zonën e gjashtë zgjedhore aty ku edhe i kanë dorëzuar ankesat, BDI të humbë një deputet.

Ekziston KSHZ, le të vendosë, aty ka përfaqësues prej të gjitha partive. Nëqoftëse ka nevojë për rivotim, duhet të rivotohet, në fund si do të dalin rezultatet nuk mund të paragjykoj, por probabiliteti është shumë i madh që sidomos në zzgj6, BDI mund të humbë shumë lehtë një deputet”, tha Arben Taravari – VLEN.

Nga ana tjetër për Frontin Europian kjo paraqet keqpërdorim dhe vjedhje partiake dhe institucionale të dy mandateve të tyre.
“Të gjithë ishim dëshmitarë dje se deri vonë në orët e mëngjesit, edhe ne edhe mediat, edhe komuniteti ndërkombëtar, për keqpërdorimin brutal të KSHZ-së dhe tentativën për vjedhje partiake dhe institucionale pa asnjë argument, të dy mandateve të Frontit Europian dhe marrëveshjes mes VMRO, LSDM dhe VLEN-it. Në mënyrë jo të drejtë dhe me mbivotim si në kohërat e monizmit në KSHZ u soll vendim për rivotim në disa vendvotime në zonat 5 dhe 6 zgjedhore, pikërisht në vendvotime ku fitues janë palët ankimuese”, pohoi Elmi Aziri – Fronti Europian.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka pranuar edhe gjashtë ankesa tjera të parashtruara nga VMRO-DPMNE. Bëhet fjalë për vendvotimet 1272 në Ohër, 1844 në Strugë, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen si dhe për vendvotimet 1194 dhe 1202 në Krushevë. Ankesat në Krushevë janë pranuar përshkak se numrat në procesverbal dhe në pajisjen për identifikim biometrik nuk janë përputhur. E sa i përket vendvotimit 1272 në Ohër, është konstatuar se procesverbali nuk është mbushur me rregull, si dhe ka patur përmirësim në pjesën e votuesve, të shkruara me dorë.

Bazuar nga numri i votuesve në të gjitha këto vendvotime ku janë pranuar ankesat, nga KSHZ njoftojnë se do të ndikojnë në numrin e mandateve të fituara, në dëm të Frontit Europian.

Kundër vendimeve të KSHZ-së mund të dorëzohet ankesë deri te Gjykata Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit, ndërsa Gjykata Administrative pas ankesës është e obliguar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve pas pranimit. Përndryshe deri te KSHZ arritën gjithsej 27 ankesa nga partitë politike. Nëntë nga koalicioni “VLEN”, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM dhe katër nga Levica.

Related posts

Stoltenberg sërish i bën thirrje Kosovës e Serbisë për shtensionimin e situatës dhe kthimin në dialog

admin

E cilësuar ngjarje me rrezik të lartë, ka filluar manifestimi përkujtimor për Goce Dellçevin në Shkup

admin

Opozita fitoi “luftën” e parë me pushtetin, mori anëtarin në KSHZ, a do ta fitojë betejën?

Gjyla Halili