Bashkimi Evropian (BE) shpreh keqardhjen për faktin se presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Gosrdana Siljanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit në ceremoninë e sotme kur dha betimin, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë,” tha Stano.
Gordana Siljanovska-Davkova ka dhënë sot (8 maj) betimin solemn në Kuvend, pas së cilës ka filluar mandatin e saj si presidente e vendit pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 8 majit. Gjatë dhënies së betimit, duke përsëritur pas kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, i cili përdori emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova përdori vetëm Maqedoninë.
Më herët, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në një postim në rrjetin X (Twitter) tha se “që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi vazhdon në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të tij detyruese, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës”.
Ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Greqisë (MPJ). Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia MIA, MPJ-ja greke thotë se “marrëdhëniet dypalëshe me shtetin fqinj dhe rruga e tij evropiane varen nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe përdorimi i emrit kushtetues”.
Gjatë betimit të sotëm në Kuvend, pavarësisht se në tekstin zyrtar të betimit që i ishte diktuar, vendi ishte nën emrin “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zonja Siljanovska – Davkova, zgjodhi ta quajë vendin “Maqedoni. Kjo procedurë shkel qartë Marrëveshjen e Prespës, por edhe Kushtetutën e vendit fqinj, e cila është në përputhje me detyrimet e tij ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MPJ-së greke.