Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e fundit, një malësori patriot, një personi, i cili, që nga fëmijëria e hershme, e deri në frymën e fundit, nuk u kurrsye për t’i kontribuar çështjes kombëtare. Edhe pse familja e tij u shpërngul në SHBA kur ai ishte farë i njomë, trashëgoi dhe kultivoi vlera e tipare të pastra të atyre burrave që ishin flijua në Bratilë dhe gjetiu, kudo e kërkoi kombi. Ishte malësori i parë nga jashtë territorit të shtetit shqiptar, që mori pjesë në Festivalin mbarkombëtarë në Gjirokastër. Nuk pat tubim as protestë shqiptare që nuk mori pjesë; nuk la akcion humanitar as patriotik pa iu bashkëngjit, me aq sa pati mundësi.
Rrok Gjergjin Dedvukaj, personalisht e njoftova në SHBA, që në vitet e 90-ta, por qendrimin prej patriotit të kulluar dhe personit të gatshëm për t’u sakrifikua për besë, për shokë e për parime, ia kuptova nga qendrimi i tij burrnor, gjatë akcionit dhe procesit policor e gjyqësor famkeq, “Fluturimini shqiponjës”, në Malin e Zi, në vitin 2006. Ai, aso kohe, së bashku me kushërinjtë Kolën e Pjetrin, e me disa malësorë të tjerë, refuzuan çdo lloj kompromisi në dëm të parimeve, prandaj edhe qendruan me vite në burgun e Spuzhës. Edhe sot më tingëllojnë në vesh, vargjet e tija të shkruara në burg, e të recituara para publikut malësor, në QKI Malësia.
Rroku kënaqej me pak, e bënte më shumë se ç’mundej.
I përjetshëm qoft kujtimi, e Rrok Dedvukaj u preht në paqe!
Ngushëllime familjes!