AKTUALE

UT hapi dyert për maturantët

Universiteti i Tetovës përmes ditës së hapur dhe panairit të karrierës ka pritur maturantët e shkollave të mesme në rektoratin e Tetovës. Këto aktivitete mbahen për të tërhequr sa më shumë maturantë që të regjistrohen në vitin e ri akademik 2024/25 në Universitetin e Tetovës. Deri më tash stafi akademik i Universitetin e Tetovës ka prezantuar ofertën akademike nëpër shkollat e mesme të vendit. Prorektori për arsim Ibrahim Neziri tha se sot organizohet “Dita e Hapur” me një agjendë shumë të pasur nga 13 fakultetet dhe 98 programe studimore të cilët kanë përgatitur prezantime për natyrën e programeve, kompetencat që do t`I fitojnë pas përfundimit të studimeve me qëllim që të përforcohet komunikimi me maturantët dhe ata ta kenë më lehtë për të marrë vendime për të vendosur për të ardhmen e tyre. “Këtë vit akademik në Universitetin e Tetovës listës së programeve studimore i shtohen edhe katër programe të reja, Mjekësia Veterinare në fakultetin e Bujqësisë, Kozmetikë dhe estetikë në shkencat e mjekësisë, biologji dhe kimi i përshtatur kuadro për shkollat fillore që është në kuadër të fakultetit të shkencave mjekësore dhe informatike afariste që është në kuadër të fakultetit të administrimit të Biznesit”, deklaroi prorektori për arsim, Ibrahim Neziri.

Në ndërkohë, në kuadër të ditës së hapur është mbajtur edhe Panairi i Karrierës, ku shumë kompani prezantojnë ofertat e tyre për vende të punës. Nga Universiteti i Tetovës thonë se gjithnjë janë duke bërë përpjekje që të ofrojnë programe studimore që në të ardhmen do të mund të jenë konkurues në tregun e punës.

Kjo platformë paraqet edhe urën lidhëse mes studentëve, stafit akademik dhe komunitetit të biznesit. Tradicionalisht çdo vit Universiteti i Tetovës hap dyert për një numër të konsiderueshëm të kompanive, kryesisht të vendit, ku përfshihen ato me kapacitete prodhuese, kompani ushqimore, librari, farmaci e kështu me radhë, të cilët kanë interes që të inkuadrojnë kuadrin tonë në rradhët e tyre. Kjo është një mundësi e mirë për absolventët që të njihen edhe me ofertën e tregun e punës në të ardhmen ku do të veprojnë”, tha prorektori për shkencë Agon Memedi.

Sipas autoriteteve të Universitetit të Tetovës, programet janë duke u përditësuar në bazë të tregut të punës. Universiteti i Tetovës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit 4700 vende të lira për pranim të studentëve të rinj. Në aktivitetet të cilët u mbajtën në Universitetin e Tetovës kishte shumë maturantë nga qytetet më të mëdha të Maqedonisë së Veriut të cilët janë njohur për së afërmi me ofertën akademike të secilit program studimor.

Related posts

Kryeministri Xhaferi në vizitë në Komunën e Haraçinës

Gjyla Halili

Izet Mexhiti nga Shkupi: Po ndodh POPULLI!

Gjyla Halili

Politikani pro serb, presidenti i ri i Malit të Zi, festë para selisë së “Evropa Tani”, provokojnë mbështetësit e tij: Kosova është Serbi!

admin