AKTUALE

Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë Nazmi Jakurti dhe filantropi tetovarë Lazim Destani në vizitë tre ditore në Zagrep të Kroacisë

Ishte kënaqësi të jesh në mesin e komunitetit shqiptar në Zagreb të Kroacisë. Së bashku me mikun tim Nazmi Jakurti, Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, sot e mbyllëm vizitën tonë treditëshe në këtë vend ku diaspora jonë, si gjithmonë në të kaluarën, këtu gjen respektin dhe pritjen e ngrohtë nga populli mik kroat.
Qëndrimi ynë treditor në këtë vend na dha mundësinë të realizojmë disa vizita të entiteteve të diasporës sonë këtu si dhe të përfaqësive tona diplomatike në Zagreb. Fillimisht ne vizituam Qendrën e Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë ku na priti z. Agim Gjidoda, Nënkryetar i Unionit. Pastaj realizuam një vizitë te Dega për Kroaci e Lidhjes Shqiptare në Botë (LSHB) ku na pritën drejtuesit e këtushëm të LShB z. Sahit Tashevci dhe z. Rrok Lekaj. Në këtë takim, krahas disa afaristëve të suksesshëm shqiptarë në Kroaci, patëm nderin ta kemi të pranishëm edhe z. Riza Poda, Ambasador i Shqipërisë në Zagreb, si dhe z. Milaim Fetai, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në këtë vend.
Në ditën e dytë të aktiviteteve tona, ne vizituam tre Ambasadat tona në Zagreb, Ambasadën e Shqipërisë, Kosovës dhe Ambasadën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtyre takimeve, me Ambasadorët tanë këtu, z. Riza Poda, z. Martin Berishaj dhe z. Milaim Fetai, ne zhvilluam biseda e shkëmbyem mendime mbi tema që lidhen me diasporën tonë në Kroaci. Ishte vlerësim yni i përbashkët se komuniteti ynë në Kroaci është mirë i integruar dhe gëzon respekt të plotë në këtë vend. Pas këtyre takimeve ishim për vizitë te Qendra Informative dhe Kulturore e Maqedonisë së Veriut në Zagreb. Në hapësirat e kësaj Qendre vizituam ekspozitën e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Prof. Reshat Ameti.
Në vargun e këtyre takimeve, po e veçoj vizitën që i kushtuam veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, themelues dhe Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, z. Simon Kuzhnini. Takimi me këtë mik të moçëm dhe pritja bujare në familjen e tij, ashtu si gjithmonë, ishte e ngrohtë e vëllazërore.
Me këtë rast po e shpreh kënaqësinë time për arritjet e shumta të pjesëtarëve të diasporës sonë në Kroaci. Për këto arritje, si në sferën e biznesit ashtu dhe në atë të kulturës e shkencës, e përgëzoj diasporën tonë ndërsa e falënderoj popullin kroat për marrëdhënien shembullore me diasporën tonë në këtë vend.

Related posts

Jahoski: Mandati im është mandati juaj, më 8 maj rretho numrin 4

Gjyla Halili

Ali Ahmeti shpallet Qytetar Nderi në Prizren, LDK: Titull i merituar për liderin e punëve të mëdha për shqiptarët në RMV

Gjyla Halili

Lideri i LSDM-së, Filipçe kundër themelimit të Akademisë shqiptare

Gjyla Halili