KOSOVË

Kurti: Komiteti i Ministrave ta trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është thirrje për Komitetin e Ministrave të jashtëm që të trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në muajin maj.

Kurti tha se rezultati i suksesshëm i votimit në asamble është sukses i jashtëzakonshëm për vendin që tregon vitalitetin dhe angazhimin e suksesshëm të diplomacisë kosovare.

Rezultati i votimit të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Republikën e Kosovës për dy arsye kryesore. E para, e përmbylli etapën më komplekse të procesit të anëtarësimit. Dhe e dyta, edhe pse kishim nevojë për 2/3 e votave në favor, pra afër 67%, ne i arritëm 82% të votave në favor. Kjo është një shenjë e qartë e vitalitetit dhe angazhimit të suksesshëm të diplomacisë së Republikës së Kosovës…”, ka thënë Kurti.

“Këto fakte dhe mbështetja e fuqishme e para dy ditëve, me 16 prill, ku në favorin e anëtarësimit ishin 131 deputetë, janë thirrje të qarta për Komitetin e Ministrave që ta trajtojë aplikimin tonë në muajin maj dhe që Kosova ta pranojë ftesën për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës po atë muaj. Nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, përfitues do të jenë qytetarët e vendit. Ndërkohë që përfituesit më të mëdhenj në të drejta dhe mbrojtjen e tyre do të jenë pikërisht komunitetet joshumicë dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë”, tha Kurti.

Megjithatë, ai shtoi se pas këtij suksesi të Kosovës, Serbia u hakmor duke ndaluar mbi 20 orë qindra qytetarë të Kosovës në pikat kufitare.

Ai tha se në mesin e të ndaluarve është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, i cili është dërguar në paraburgim në Rashkë.

“Pas kalimit të suksesshëm të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia u hakmor. Ndaloi në kufi për mbi 20 orë qindra qytetarë të vendit tonë, të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinim por si tranzit për t’u kthyer apo për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian. Në mesin e të ndaluarve dhe të arrestuarve ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Sipas informacioneve që kemi, zëvendësdrejtori Jankoviq është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë…”.

“Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes ndaj suksesit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ndërkaq keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës është po ashtu akt i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Marrëveshjen Bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh e për fqinjësi të mirë”, theksoi Kurti.

Related posts

Mijëra persona në protestën e tretë kundër dhunës

admin

Po punojmë në plane të reja për mbrojtjen e popullit tonë në Kosovë

admin

Clinton i cilëson si “marrëzi” tensionet në veri të Kosovës, thotë se Kosova gaboi

admin