Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është nder dhe një kënaqësi e veçantë të kem mundësin të flas sot këtu para jush dhe dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet për mbledhje fondesh për ndërtimin e kishës “Nënë Tereza” në Malin e Kakarriqit.
Në një kohë kur populli ynë ishte i diskriminuar në çdo aspekt, duke u asimiluar sistematikisht nga autoritetet dhe pushtetet jo shqiptare, është e një rëndësie jetike që të mblidhemi të gjithë së bashku, siç jemi edhe sot këtu, që të veprojmë në drejtim të forcimit dhe faktorizimit të të gjitha çeshtjeve kombëtare shqipëtare.
Shqipëtarët si popull autokton dhe Zot të shtëpis së tyre nuk duhet dhe nuk mund ti nënshtrohen askujt, sepse ashtu siç kemi ruajtur identitetin, traditën dhe kombin tonë ndër shekuj, ashtu duhet të veprojmë, si tani ashtu edhe në të ardhmen, dhe disa nga shembujt më të mirë janë pikërisht institucionet ku populli ynë mëson, zhvillon dhe promovon identitetin dhe gjuhën shqipe.
Duke e patur parasysh aspektin territorial të Malit të Kakarriqit dhe afërsisë gjeografike me Podgoricën, jemi të sigurt se ndërtimi i një kishe, e më pas i një shkolle, për të cilën kemi siguruar tokën pranë kishës, me nënshkrim dhe dokument të vlefshëm të Kishës së Tuzit dhe Arqipeshkvisë së Tivarit, është një hap vendimtar në drejtim të ruajtjes dhe avancimit të gjuhës shqipe dhe të kombit tonë, me synim shmangjen e asimilimit të popullsisë shqiptare që jeton në ato treva.
Roli dhe funksioni i institucioneve fetare, edukative dhe arsimore ndër shekuj ka qënë i një rëndësie të madhe për popullin tonë, ku udhëheqësit fetarë, mësuesit dhe profesorët ruajtën dhe kultivuan me zell dhe përkushtim shkrimin dhe gjuhën tonë shqipe.
Duke filluar nga Meshari Gjon Buzukut, e duke vazhduar me kolosin e padiskutueshëm të kombit tonë, Gjergj Fishtën, kemi shëmbuj konkret se si ruhet dhe theksohet e gjithë bukuria e gjuhës dhe kulturës tonë.
Vëllezërit Ivanaj janë gjithashtu shëmbull sesi ne mund të jemi në shërbim të kombit dhe identitetit tonë përmes edukimit dhe arsimit të duhur.
Pikërisht për këtë jemi të sigurt se morëm një vendim të shkëlqyer dhe të synuar kur vendosëm të hidhnim këtë hap, sepse populli shqiptarë, jo vetëm në Malin e Kakarriqit, por në mbarë atdheun tonë, do të përparojë me një institucion tjetër arsimor e fetar shqiptarë.
Kisha, siç edhe e mban emrin e Nënës Tereze, do të jetë qëndra fetare, humane dhe shpirtërore e Malit të Kakarriqit, por jo vetëm, ndërsa shkolla në të ardhmën do të jetë një qendër e vërtet arsimore shqipe për të gjithë bashkatdhetarët tanë.
Na vjen mirë që kisha është miratuar si nga Arqipeshkvia e Tivarit ashtu edhe nga Nunci i Vatikanit, ku punimet do të inspektohen edhe nga Sekretariati i Vatikanit për të siguruar që ndërtimi të jetë në përputhje me standardet më moderne dhe bashkëkohore të kishave katolike, duke filluar nga forma, madhësia dhe vetë struktura.
Falenderojmë Patër Mirash Marinaj për këtë iniciativë, e cila na inkurajoi të formojmë një organizatë legjitime prej 19 anëtarësh të Bordit Drejtues, ekskluzivisht për ti ndihmuar në ndërtimin e kësaj kishe, gjëgjësisht kishës së “Nënës Tereze”, ku anëtarët e kësaj organizate, dëshmuan me gjestin e tyre human se janë gjithmonë të gatshëm për të gjitha nevojat e vendlindjes sonë dhe jam jashtëzakonisht krenar që më dhanë besimin që nga kreu i kësaj organizate të krijojmë dhe ndërtojmë një të ardhme më të mirë për kombin tonë.
Meqënse në ditët e fundit kemi festuar së bashku dy festat e mëdha të kombit tonë, Pashkët dhe Fitër Bajramin, nga ky vend dua të them se të gjitha projektet dhe iniciativat tona do t’I realizojmë gjithmonë së bashku dhe unik, duke ju përmbajtur fjalës së Gjergj Fishtës: Vërtetë ne kemi Bajram dhe Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
Faleminderit edhe një herë që me mundin dhe angazhimin tuaj po kontriboni për një jetë më të mirë të bashkatdhetarëve tanë dhe në prosperitetin e kombit tonë.
Zoti ju bëkoftë ju, Malësin dhe kombin Shqipëtarë!