Zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski nga sot deri më 20 prill do të qëndroj në Uashington, ku do të marrë pjesë në Takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat këtë vit i dedikohen kërkimit të zgjidhjes për përballimin e sfidave globale, veçanërisht në fushën e financave dhe njohurive, duke nxitur investimet në sektorin privat, si dhe gatishmërinë për krizat e ardhshme.
Në kuadër të qëndrimit në Uashington, zëvendësministri i Financave Nikolloski, përveç pjesëmarrjes në takimet në kuadër të Takimeve pranverore, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së, ku pritet të bisedohet për politikat makroekonomike dhe pritjet afatmesme, duke pasur parasysh reformat e ardhshme, progresin e integrimit në BE, si dhe sfidat nga konteksti më i gjerë global.
Në Uashington, zëvendësministri i Financave Nikolloski, do të realizojë takime me nënkryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Eugene Rhuggenaath, drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu. Gjithashtu, zëvendësministri do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të FMN-së, përkatësisht me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Lee, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, drejtorin ekzekutiv alternativ, Luc Dresse, si dhe me drejtorin e FMN-së për Europën, Alfred Kammer.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe politikat që po i ndërmerr kjo qeveri kanë marrë përkrahje përmes shumë programeve të zbatuara me këto institucione financiare ndërkombëtare. Reformat janë në përputhje me programin e likuiditetit dhe përkujdesit me FMN-në dhe janë baza për mirëmbajtjen e politikave makroekonomike të qëndrueshme në kushte krize. Po ashtu, përkrahje e reformave është paraprë në kuadër të Kornizës së re pesëvjeçare për partneritetin me Bankën Botërore dhe e cila tashmë ka filluar të implementohet nga fillimi i këtij viti. Qëllimi është përkrahja e prioriteteve të përcaktuara për sigurimin e rritjes së përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike, rezistencën ndaj krizave dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore mbahen çdo vit, ndërsa këtë vit janë në periudhën prej datës 15 deri më 20 prill. Në këto takime marrin pjesë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare, të cilët diskutojnë për zhvillimet aktuale në ekonominë botërore dhe për temat siç janë ulja e varfërisë dhe stimulimi i rritjes ekonomike. Në takimet pranverore së bashku me zëvendësministrin e financave merr pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska-Bezhoska.