Në mbledhjen e 15-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me specializantët e mjekësisë, të cilët specializimin e paguajnë me mjete të veta dhe të cilët janë të angazhuar me kontratë në vepër në klinikën universitare në të cilën kryejnë specializimin. Duke pasur parasysh rëndësinë për specializantët, por edhe për qytetarët dhe për sistemin shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për zgjidhjen e plotë të statusit të tyre, Qeveria mori vendim, në përputhje me ligjin dhe menjëherë pas zgjedhjeve, të përpilohen propozim-zgjidhje ligjore që do të parashikojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre të përgjithshme.
Qeveria, në bashkëpunim aktiv me specializantët, deri më tani ka shfaqur një kujdes të madh për avancimin e statusit të tyre dhe është e vendosur të vazhdojë në këtë drejtim, drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve me interes për to dhe me interes publik, në funksion të shëndetit të qytetarëve.
Siç u konstatua në mbledhje, në vitin 2018, specializantët privatë u paguan për herë të parë për punën e tyre në lartësi të pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm, duke pasur parasysh se deri atëherë nuk kishin kompensim financiar për angazhimin dhe asnjë Qeveri nuk kishte treguar gatishmëri për ti dëgjuar dhe kapacitet për të filluar zgjidhjen e statusit të tyre të punës. Në vitet e fundit pagat e punonjësve shëndetësorë janë rritur ndjeshëm, janë ngritur kapacitetet në shëndetësinë publike dhe është rikthyer dinjiteti i të gjithë punonjësve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë.