Programi studimor Art Figurativ i Fakultetit të Arteve të UT-së, përmes organizimit të një punëtorie me studentët para maturantëve të qytetit të Tetovës e shënoi 15 Prillin – Ditën Botërore të Artit. Kjo datë e shpallur nga Asambleja e përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Artit si një datë që festohet në mbarë botën pasi që përkon me ditëlindjen e piktorit të madh Leonardo Da Vinçi dhe për herë të parë është shënuar në vitin 2012 ku mbi 150 artistë nga vende të ndryshme të botës kanë performuar në fusha të ndryshme të Artit.
Dekani i Fakultetit të Arteve të UT-së Prof. Dr. Senad Abduli këtë aktivitet e cilësoi si shumë të rëndësishëm pasi që maturantët për së afërmi njihen me Fakultetin e Arteve dhe krijimtarinë artistike të studentëve dhe profesorëve tanë.
“Në këtë 30-vjetor ne shpalosim ofertën tonë si një universitet me vlera të jashtëzakonshme, me staf akademik shumë të përgatitur, me kushtet që ofrojmë që këta të rinj tanë të shohin një mundësi për veten e tyre dhe duhet ditur që determinimi i shtetformësisë së një kombi-shtet janë institucionet kulturore dhe ne jemi ata që furnizojmë këto institucione me kuadro profesionale. Andaj i ftojmë gjithë të rinjtë, maturantët kudo që janë, që të na bashkëngjiten në këtë vit jubilar dhe të fitojnë dije në këtë tempull të cilin e kemi krijuar me shumë mund dhe sakrificë.” – theksoi Prof. Dr. Senad Abduli.
Për rëndësinë e shënimit të kësaj dite dhe organizimit të punëtorisë së studentëve foli prodekania e Fakultetit të Arteve Prof. Dr. Jëlldëz Asani e cila theksoi se qëllimi kryesor është shpalosja e punës artistike që studentët e Artit Figurativ e bëjnë ndër vite. “Ne si Fakultet i Artit e pamë të arsyeshme që t’i bashkëngjitemi shënimit të kësaj dite përmes një punëtorie të organizuar me studentët tanë për arsye se vërtet kemi shumë artistë – studentë të talentuar të cilët përvojën e fituar gjatë studimeve të tyre e shpalosin në këtë aktivitet dhe ne jemi dëshmitarë këtu duke parë përmes punës së tyre rrugëtimin artistik që kanë bërë gjatë viteve të studimeve. Universiteti ynë këtë muaj është duke promovuar ofertën akademike për maturantët dhe ne sot këtu kemi edhe maturantë të shkollave të ndryshme të cilët janë vizitorë të kësaj punëtorie dhe për së afërmi kanë mundësi të mësojnë më shumë rreth programeve studimore të fakultetit tonë.” – u shpreh Prof. Dr. Jëlldëz Asani
Maturantët pjesëmarrës në këtë punëtori shfaqën interesim të jashtëzakonshëm për programet studimore të Fakultetit të Arteve, duke shprehur edhe dëshirën e tyre për të studiuar në Universitetin e Tetovës.