Se vendi do të përjetojë krizën më të rëndë atë të mungesës së popullsisë nuk është befasi pasi ka qenë e pritshme dhe e ditur pas fluksit të madh të qytetarëve që lëshonin vendin dhe po vazhdojnë me të njëjtin ritëm. Në një raport të fundit të Indeksit Kroat, është evidentuar një trend alarmant në Evropën Juglindore: rënia e popullsisë. Pjesë e këtij raporti janë pothuajse gjitha shtetet e rajonit përjashtuar Letoninë. Që i bie se me këtë trend po ballafaqohen gjitha shtetet e rajonit e në veçanti edhe Maqedonia e Veriut. Rënia e popullsisë lë pasoja të pariparueshme. Duhet hartuar strategji e veçantë për të ndalë migrimin dhe për të shtuar popullsinë, shkruan Zhurnal.
Maqedonia e Veriut në krye të rënies së popullsisë në Evropën Juglindore –
Në një raport të fundit të Indeksit Kroat, është evidentuar një trend alarmant në Evropën Juglindore: rënia e popullsisë. Në mesin e gjashtë vendeve me rënien më të madhe të popullsisë nga viti 2012 deri në 2022, vetëm një vend nuk ndodhet në këtë rajon – Letonia.
Maqedonia shënon rënie më të theksuar me 11% më pak banorë se në 2012, ndjekur nga Kroacia me 9.66% dhe Bullgaria me 9.07%. Rumania, megjithëse e ndodhur jashtë kësaj rajoni, përjetoi rënien më të madhe në terma absolute, duke humbur një milion banorë dhe shënuar një rënie prej 5%. Problemet demografike nuk ndalen këtu: Greqia, Serbia dhe Italia raportojnë gjithashtu humbje të konsiderueshme të popullsisë. Megjithë dallimet në nivelin ekonomik, të gjitha vendet përballen me sfida të ngjashme, siç është presioni mbi sistemet e pensioneve dhe qëndrueshmëria ekonomike.
Në mesin e rritjes së standardeve të jetesës dhe zgjatjes së jetëgjatësisë, numri i lindjeve po bie, duke thelluar problemet demografike. Ky trend po shkakton shqetësime për të ardhmen e ekonomive rajonale dhe kërkon veprime të menjëhershme për të adresuar sfidat e popullsisë.
Maqedonia e Veriut rrezikon të shndërrohet në vend të pabanueshëm –
Deri në vitin 2070, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbesë me më pak se 1,3 milion banorë. Këtë e dëshmojnë projektimet e bëra nga Enti Shtetëror i Statistikave. Presidenti, Stevo Pendarovski shprehet se korrupsioni është shtytësi kryesor i emigrimit të qytetarëve. Ndërsa drejtori i Entit, Simovski apelon se duhet të veprohet që të ndalohen ikja e qytetarëve
Demografia negative është kërcënimi më i madh për ardhmërinë e shtetit, ndërsa korrupsioni është shkaktari më i madh i shpërnguljes së qytetarëve. Kështu ka deklaruar presidenti Stevo Pendarovski, gjatë prezantimit të projektimit të popullatës në vendin tonë deri në vitin 2070, nga ana e Entit shtetëror të Statistikave. Pendarovski pati theksuar se popullata po plaket ndërsa shteti me shpejtësi po zbrazet.
“Në bazë të regjistrimit, Enti Shtetëror i Statistikave i përgatiti projektimet, sipas të cilave, deri në vitin 2070 popullsia do të zvogëlohej madje deri në 35%, respektivisht, nga 1,8 milion tani, në 1,2 milion banorë. Nga tre shtytësit demografik kryesor – nataliteti, mortaliteti dhe migrimi, më shqetësues është i treti. Të paktën tani për tani, ulja e popullsisë më tepër ka të bëjë me shkallën e lartë të migrimit të popullsisë, sesa me shkallën e ulët të natalitetit. Raporti botëror i migrimit për vititn 2020 e numëron Maqedoninë e Veriut mes 20 shteteve me shkallë më të lartë të shpërnguljes”, ka thënë Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Drejtori i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski, pati thënë që në bazë të dhënave statistikore, vendin nuk e pret ardhmëri e ndritur. Por shtoi se kjo mund të ndryshohet.
”Nevojitet përpjekje e madhe dhe shumë mund por edhe krijim I politikave të bazuara në këto të dhëna. Imigrimi nuk është mes problemeve më të mëdha. Sot njerëzit dëshiropjnë të kenë mundësi të vërteta në shtet, arsim dhe shëndetësi cilësore. Domografia është shkencë e ndryshme dhe nuk reagon në mënyrë të shpejtë tek ndryshimet, por megjithatë reagon”, ka thënë Apostol Simovski, Drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.
Të shtatë projektimet e Entit Shtetëror të Statistikave për emigrimin në RMV deri në vitin 2070 flasin për uljen e përgjithshme të popullsisë. Dhe nëse nuk ndërmerret asgjë, parashikohet që deri në vendin 2070 në vendin tonë të mbesin rreth 1,3 milion banorë, për këtë shqetësim ka raportuar televizioni KlanMacedonia.
Se po shkojmë drejt zbrazjes së vendit e ka dëshmuar edhe sondazhi nga Fondacioni Westminster për Demokraci, ku dy të tretat e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe, nëse u jepet mundësia, do të largohen. Qëndrime të tilla bazohen në cilësinë e dobët të arsimit që marrin të rinjtë në vend, shkallën e lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe të ardhurat e ulëta që kanë të rinjtë. Shkalla e lartë e korrupsionit na ka sjellë në një situatë ku më shumë se 83% e të rinjve nuk u besojnë institucioneve.
Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk