SULMI I IRANIT NDAJ IZRAELIT
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit gjatë natës së kaluar, duke thënë se mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme.
Osmani tha se nëse nuk parandalohen dinamikat e mëtutjeshme negative, ka potencial të shndërrohet në luftë rajonale, e cila direkt ose indirekt do të ketë ndikim jashtë rajonit.
Në të njëjtën kohë, ai shtoi se së bashku me agresionin aktual të Rusisë në Ukrainë, një tjetër krizë serioze ushtarake rajonale në Lindjen e Mesme mund të ketë implikime dramatike ndaj paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
https://www.facebook.com/bujar.osmani.7/posts/1001226201358701?ref=embed_post
“Dhuna shkakton dhunë dhe ky cikël i përsëritur hakmarrjeje e përshkallëzon në mënyrë të pakthyeshme situatën në rajon, e cila shumë lehtë mund të zgjerohet. Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune, sepse nëse dhuna hakmarrëse nuk ndalet tani, situata do ta kalojë së shpejti pikën nga e cila nuk do të ketë kthim prapa”, tha Osmani.
Sipas të dhënave me të cilat disponon Ministria, në Izrael janë rreth 40-50 shtetas të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe familjet e personelit diplomatik në Tel Aviv.
“Dëshiroj t’ju informoj se vendimi i parë që mora këtë mëngjes ishte vendimi për formimin e një shtabi të krizës, kryesisht përgjegjës për organizimin e evakuimit të qytetarëve tanë nga Izraeli, dhe më gjerë nga Lindja e Mesme, nëse lind nevoja. Evakuimi do të varet nga dinamika e situatës në orët dhe ditët në vijim, si dhe qasshmëria e aeroportit në Tel Aviv, i cili gjatë orëve të mëngjesit të sotëm është vënë sërish në funksion, por punon me kapacitet të kufizuar. Rruga e vetme alternative është rruga tokësore përmes Jordanisë”, tha Osmani.
Ministri i bëri thirrje shtetasve të Maqedonisë që ndodhen në Izrael që të jenë në komunikim me ambasadën e vendit në Izrael dhe me Ministrinë e Jashtme, në mënyrë që të përgatitet evakuimi i tyre.
Ndërkaq, qytetarëve në vend, Osmani u bëri apel që të shmangin udhëtimet që nuk janë të domosdoshme për në Izrael, Iran, Liban dhe territoret palestineze./tvklan.mk/