Kohë më parë Kryetari i Komunës së Tetovës paralajmëroi ndërtimin e stadiumit siç premtoi edhe ndërtimin e qendrës së qytetit, sahatkullës, shtratin e lumit, parkingjet në kate, ndërtimin e 4 shkollave, pishinave të hapura e të mbyllura etj etj etj… Njëlloj siç premtoi shumë projekte të tjera të parealizuara deri më sot.
E vërteta është se dëshira dhe realizimi janë dy çështje shumë të ndryshme me njëra-tjetrën. Komuna e Tetovës ka një buxhet prej 31.000.000 (miljonë) euro. Prej të cilave 28.000.000 (miljonë) euro shkojnë për paga të punonjësve administrativ, të ndërmarrjeve publike, mësimdhënësve dhe të të gjithë të punësuarve tjerë (në formë të bllokdotacioneve).
Komuna e Tetovës ka në dispozicion vetëm 3.000.000 (miljonë) euro në vit për projekte, shërbime komunale dhe të tjera.
Ndërtimi i stadiumit të qytetit kushton përafërsisht 10.000.000 euro. Kjo sipas tenderit të hapur në tre faza nga Komuna e Tetovës. Kur jemi te hapja e tenderit, është e rëndësishme të dihet se ky tender nuk është hapur me mjete të disponueshme, por me mjete të projektuara. Kjo nënkupton se Komuna e Tetovës nuk i ka në disponim paratë për ndërtimin e stadiumit, por pretendon se në të ardhmen e afërt do t’i ketë dhe me këto mjete do ta paguajë ndërtimin e stadiumit.
Për ta ngatërruar punën dhe për të krijuar iluzion të rrejshëm, Kryetari i Komunës në fillim, përmes Këshillit Komunal ia dha ingerencat për ndërtim Ndërmarrjes Publike Komunale – Transporti. Pastaj përmes Këshillit Komunal, sërish kësaj ndërmarrjeje ia dha në pronësi të përhershme pronat në Saraqinë dhe Falisht të Tetovës. Prona këto të cilat Kryetari i Komunës ka ndërmend t’i shesë (ose t’i këmbejë me kompaninë kontraktuese) në këmbim për ndërtimin e stadiumit.
Këto prona janë prona bujqësore dhe jo prona ndërtimore dhe për këtë Kryetari i Komunës do ti detyrojë sërish Këshilltarët që në Këshill Komunal të votojnë për ndryshim të destinimit nga Pronë Bujqësore në Pronë ndërtimore.
Me një fjalë, Bilall Kasami i ka nxjerrur në shitje të gjitha pronat e Komunës për të arritur të bëjë një rikonstrucion ose ndërtim të stadiumit. Shitja e tyre është një proces më i ndërlikuar dhe kërkon kohë dhe kjo është arsyeja se pse stadiumi i Tetovës NUK DO TË MUND TË NDËRTOHET për një kohë të gjatë sepse siç e sqarova më lartë, Komuna NUK KA MJETE TË DISPONUESHME NË BUXHET!
Të gjitha këto akrobacione duke i shfrytëzuar hapsirat vakuum ligjore, tregojnë vetëm një gjë. Pas kësaj fshihet diçka dhe ne i ftojmë gazetarët investigativë të hulumtojnë më shumë.
Tani është e juaja të gjykoni nëse ky projekt po shfrytëzohet bash para zgjedhjeve për poena politike ose ka vërtetë mundësi të ndërtohet në kohë prej 1 viti.
Një gjë është e sigurtë, stadiumi i vjetër nisi të prishet (siç u prishën dhe u lanë në harresë shumë rrugica në qytet). Të shpresojmë që këto plane djallëzore, mos e lejnë qytetin pa stadium siç e lanë edhe pa parkingje, pa sahatkullën, pa qendrën e re e pa shumë projekte të tjera që Bilalli i premtoi, por kurrë nuk i realizoi!