Burgu i Idrizovës është një nga burgjet më të mbipopulluara në vend e në gjendjen më të mjerueshme ndodhen të burgosurit e këtij burgu. Një pjesë e tyre vazhdojnë betejën me padrejtësinë duke shpresuar që një ditë ato dyer prej hekuri e të ndryshkura do të hapen për t’iu ofruar lirinë e merituar. Por, lajmet nuk kanë fund me kryetitujt se u zbuluan kaq tunele, nga kjo kuptohet që ka marr fund shpresa e të burgosurve për hapjen e atyre dyerve dhe kanë vendosur që me çdo kusht ta gëzojnë lirinë qoftë edhe nga nëntoka duke hapur tunele. Këtë burg e ka vizituar edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, por nga dita e vizitës së tij e deri më sot nuk është marrë asnjë masë ndryshimi në këtë burg, nga kjo kuptohet që më shumë paska qenë PR i vet ministrit sesa përpjekje për të shfrytëzuar pozitën për të shkaktuar ndryshimin, shkruan Zhurnal.
Burgu i Idrizovës tmerr i të burgosurve tentojnë përmes tuneleve ta gëzojnë lirinë –
Dy tunele, që do të shfrytëzoheshin për t’u arratisur të burgosurit, janë zbuluar në Burgun e Idrizovës, njofton “360 shkallë”. Mes të burgosurve, janë gjetur edhe shumë mjete të palejuara. Dyshohet se përgatitej një “përleshje” mes dy grupeve kriminale dhe për këtë është realizuar bastisja. Nga MPB zyrtarisht njoftuan se Prokuroria ka kërkuar nga ata asistencë për të realizuar bastisje në më shumë hapësira, por nuk japin më shumë detaje.
Ndërkaq, vitin që lamë pas u zbulua edhe një tunel i përmasave të mëdha sikurse në “filma”. Përmes gërmimit të një tuneli prej 40 metrash një grup prej 8 të burgosurish kanë planifikuar të arratisen nga burgu i Idrizovës në Shkup. Një gjë e tillë u zbulua nga organet e sigurisë në vend të cilët thonë se kanë parandaluar arratisje të planifikuar.
“Pas marrjes së njohurive kriminalistike, se një grup prej së paku prej 8 të burgosurve të cilët janë të dënuar për vepra penale serioze me dënime prej 10 vjet deri në burg të përjetshëm, kanë përgatitur arratisje nga burgu, duke gërmuar tunel, MPB ka zbatuar aktivitete penale operative për kontroll të informatave pas çka të njëjtat i ka ndarë me Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve”, pati thënë Toni Angellovski nga MPB.
Nga MPB shpjegojnë në detaje se si ka qenë e organizuar puna për hapjen e këtij tuneli.
“Tuneli ka qenë në thellësi prej 1 metër, në diametër prej rreth 80 centimetrave, i cili ka qenë i siguruar me trarë dhe tulla. Në tunel, janë gjetur disa shporta të plastikës të cilat janë të lidhura me litarë, e me të cilat është larguar dheu i gërmuar. Gjithashtu ka pasur edhe një kabllo elektrik me poç e cila ka shërbyer për ndriçim të tunelit”, thonë nga MPB.
Kujtojmë që, në vitet e fundit janë regjistruar edhe të tjera arratisje spektakolare nga burgjet e vendit. Kjo mbase është edhe përgjigja më reale e pyetjes se si janë kushtet përbrenda këtyre burgjeve. Arratisjet e tilla, tentimet për arratisje në të njëjtën kohë flasin për mungesë sigurie si dhe për kushte mizore në të cilat qëndrojnë këta të burgosur, e për këto të fundit më rrallë dëgjojmë reportazhe dhe lajme që kanë të bëjnë pikërisht me këto tema.
Kushte johumane dhe mbi popullim në burgje thotë raporti i Komisionit Evropian –
Edhe pse infrastruktura ishte rinovuar dhe përmirësuar në një numër më të madh të objekteve të burgjeve, kushtet në pjesët e burgut Idrizovës dhe institucionet e tjera të paraburgimit nga sistemi i mbyllur, mbeten johumane, ndërsa mbipopullimi shkakton shqetësim shtesë për popullatën në burg. Këto janë disa nga çështjet e inicuara në vitet e kaluara të cilat Komisioni evropian i noton sërish në Raportin për përparim të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.
“Çështjet e iniciuara në vitet e kaluara mbetet të pazgjidhura, posaçërisht mungesa e kushteve adekuate për punë të nëpunësve policorë dhe mungesa e institucioneve për mbrojtje adekuate shëndetësore në burgje”, qëndron në raport.
Dhe, këto mungesa të theksuara në raport me automatizëm vështirësojnë jetën e të burgosurve në ato hapësira ndëshkuese e që janë më shumë, pra janë hapësira malltretuese e torturuese. Ajo që thuhet në raport e që vlen të theksohet është fakti se përgjatë këtij viti nuk është vërejtur asnjë përparim në drejtim të ri-socializimit të të burgosurve në vend. Kjo nxjerr në pah faktin se sa institucionet ndëshkuese janë të interesuar për të kujdesur për të burgosurit, pra me fjalë të tjera të burgosurit trajtohen sikur robër luftërash të jenë.
“Nuk u arrit përparim i konsiderueshëm në përballje me mungesën e përgjithshme të aktiviteteve të dedikuara, rekreative dhe profesionale për të dënuarit dhe të burgosurit. Në të gjitha institucionet ndëshkuese-përmirësuese duhet të zbatohen aktivitete arsimore dhe risocializuese dhje programe për mjekim”, theksohet në rpaortin e KE-së.
Sipas avokatit të popullit, Naser Ziberi, të dënuarit në burgun e Idrizovës janë vendosur në hapësira tejet problematike që shpesh herë kanë qenë shkaktare për tensione ndërmjet të dënuarve. 16 të dënuar në një hapësirë prej 16 metrave katrorë, kjo është e tmerrshme dhe mizore një metër katror për një person, që nuk ngjanë aspak me vend ku mbahen dënime por më shumë me shpella dhe vrima ku bëhen keqtrajtime.
Megjithatë, duke marrë për analizë raportin e Komisionit Evropian të këtij viti dhe vitit të kaluar, si dhe raportin e Avokatit të Popullit, lirshëm mund të konstatohet gjendja momentale në burgjet e vendit që është e mjerueshme dhe predispozitat më të larta janë që këto vende të klasifikohen si vende keqtrajtimi dhe jo vende ku mbahen dënimet. Kujdesi shëndetësor dhe higjiena në nivel shumë të ulët ajo për të cilën kanë më së shumti nevojë të burgosurit. Duhet të kujtojmë që të dënuarit në ato hapësira të kufizuara janë të stërngarkuar me numër mbi normalen në proporcion me hapësirën dhe metrat katror të dhomave. Në këto hapësira të pa pastra dhe pa kujdes mjekësor të dënuarit kalojnë 23 orë, një orë të vetme e kanë pauzë jashtë për ajrosje, për të thithë ajrin e ndotur të Shkupit. /Zhurnal.mk