AKTUALE

Tre avion për shuarjen e zjarreve por vetëm një pilot, ja me çka disponon gjithë vendi

Drejtoria e Mbrojtjes dhe e Shpëtimit në fillim të sezonit të zjarreve ka tre avionë Er-Ttraktor, por vetëm një pilot aktiv. Dy prej tyre tashmë kanë dalë në pension, ndërsa për shkak të fillimit të procesit zgjedhor Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk lejon punësime të reja.

Drejtori i kësaj Drejtorie, Bekim Maksuti konfirmon se ky institucion kyç për kontrollimin e mijëra zjarreve në mjedise të hapura që ndodhin gjatë muajve të verës, ka vetëm një pilot, por mohon që aeroplanët nuk janë aktivë. Ai thotë se konkursi për punësimin e katër pilotëve të rinj do të shpallet një ditë pas zgjedhjeve, ndërsa deri atëherë shpreson që dy pilotët e pensionuar të kthehen në punë.

“Dy herë iu drejtuam KSHPK-së dhe morëm mendim negativ për punësimet e reja. Për këtë arsye iu drejtuam Qeverisë që të na lejojnë të angazhojmë dy kolegë në pension, të cilët do të mund të na ndihmojnë derisa të bëhet shpallja dhe më pas trajnimi i pilotëve. Mirëpo, tani po përballemi me një problem tjetër, duhet të sigurojmë paga më të larta për pilotët që ata të pranojnë të kthehen”, thotë Maksuti.

Ai ka frikë se edhe shpallja për punësime të reja në Drejtori nuk do të jetë e suksesshme për shkak të pagave jo tërheqëse që ata i ofrojnë përkundër përgjegjësisë, numrit të orëve të punës dhe rrezikut në punë.

Nga Qeveria u përgjigjën se e kanë shqyrtuar rastin me avionët e DMS-së dhe kanë konstatuar se Shërbimi i Çështjeve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë nuk ka kompetencë të punësojë pilotë për nevojat e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe se e kanë obliguar këtë institucion që menjëherë në përputhje me mundësitë ligjore, të mundësojë kryerjen pa probleme të operacioneve të specializuara me avionë.

Nga Agjencia e Aviacionit Civil thonë se me largimin e dy pilotëve në pension, të cilët përveç aktiviteteve të fluturimit kanë pasur edhe poste drejtuese, në Departamentin e Shërbimeve të Specializuara me Avionë në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit ka pasur ndërprerje në funksionalitetin e sistemit të menaxhimit të sigurisë, i cili duhet të jetë adekuat për madhësinë e operatorit, natyrën dhe kompleksitetin e aktiviteteve që ai kryen, duke marrë parasysh rreziqet që lidhen me këto aktivitete.

“Agjencia e Aviacionit Civil nga Departamenti për Shërbime të Specializuara me Avionë në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim ka kërkuar që urgjentisht të dorëzoë një plan veprimi korrigjues me propozim masa për eliminimin e gjetjeve me qëllim rivendosjen e funksionalitetit të departamentit para fillimit të sezonit të zjarreve”, thanë nga AAC.

Fakti që avionët për shuarjen e zjarreve nuk janë në dispozicion gjatë sezonit kur zjarret janë diçka e zakonshme e shqetëson edhe drejtorin e Qendrës për Menaxhim me Kriza, StojançeAngellov, institucioni që koordinon ekipet që luftojnë kundër zjarreve. Ai thotë se vitin e kaluar, kur u regjistruan rreth 2.400 zjarre në mjedise të hapura, ndihmuan shumë tre Er-Traktorët dhe falë tyre shumë zjarre u shuan pa shkaktuar dëme të mëdha. Ai bën pyetjen se pse u prit kaq gjatë, kur dihej se pilotët do dilnin në pension.

Për momentin Er-Traktorët e DMS-së janë të parkuar dhe nuk fluturojnë, sepse kanë vetëm një pilot. Shtrohet edhe pyetja nëse do mund ta ruajnë lejen e fluturimit sepse ka reagime nga AAC ndaj Qeverisë. Aktualisht nuk mund të llogarisim në mbështetjen e avionëve DMS-së, edhe pse drejtori po mundohet ta kapërcejë problemin. Jam i shqetësuar sepse fakti që nuk do të kemi avionë do të ndikojë keq dhe do të na i shtojë problemet, sepse na pret një verë e nxehtë dhe e thatë me shumë zjarre dhe dëmet mund të jenë shumë më të mëdha”, thotë Angellov.

Related posts

Rikthehet në funksion sistemi “Sigurimi im”

admin

Drenasi, kampion i transparencës buxhetore, Lladrovci: Ia kemi marrë dorën punës së mirë

Gjyla Halili

BDI nga opozita: Mbështesim dhe kërkojmë mbylljen e menjëhershme dhe të tërësishme të kazinove dhe bastoreve

Gjyla Halili