AKTUALE

Sot bëhen 12 vjet nga rasti “Monstra” në liqenin e Smillkovës, Ajdari nuk arriti ta shohë drejtësinë në Strasburg

Sot bëhen 12 vjet nga vrasja e katër të rinjve dhe një peshkatari në Liqenin e Smillkovës, e cila është një prej ngjarjeve më të tmerrshme që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Për shkak dyshimeve dhe akuzave për montim, lënda u rikthye në gjykim, por pas përfundimit të gjykimit të dytë dhe ankesës së mbrojtjes, Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra” dhe la në fuqi aktvendimin e Apelit, njofton Portalb.mk.

Ekipi i avokatëve të të dënuarve në rastin “Monstra”, është duke i përgatitur ankesat për në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Ankesa pasoi pas vendimit të Gjykatës Supreme në shtator të vitit 2023 sipas të cilit u konfirmuan dënimet e shkallës së parë dhe të dytë për pesë të akuzuar. Sipas vendimit tre persona u dënuan me burgim të përjetshëm, një me 15 vjet burg dhe një me 9 vjet burg.

Avokatët e të dënuarve në rastin “Monstra”, janë në procedurë të përgatitjes së ankesave në Gjykatën e Strasburgut pas shpalljes së aktgjykimit në shtator të vitit të kaluar.

“Ende nuk janë gati, janë duke i përgatitur avokatët”, tha për Portalb.mk shkurt familjari tashmë i ndjerë i të dënuarve në rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, i cili nuk e arriti përvjetorin e kësaj ngjarjeje dhe as se çfarë do të pasojë në Gjykatën e Strasburgut, rast për të cilin ai luftoi për 12 vjet me radhë, me qëllim që drejtësia të vendoset në vendin e duhur.

“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirë, sonte në këto natë të mëdha të Ramazanit, axha jonë Bedria ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të Gjithësisë”, njoftuan familjarët më 4 prill, duke përkujtuar kontributin që ai ka dhënë për të burgosurit e pafajshëm.

Ndërkohë, për dallim prej gjykimit të parë, në gjykimin e dytë, i dënuari me burgim të përjetshëm Sami Luta, u lirua nga akuza, në mungesë të provave. Dy të arratisurit në Kosovë, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, por edhe Agim Ismailloviq në të dy gjykimet u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërkaq Fejzi Aziri dhe Haki Aziri, të cilët gjatë gjykimit të parë u dënuan me burgim të përjetshëm, në gjykimin e dytë ata u dënuan me 15 dhe 9 vjet.

Të akuzuarit dhe familjarët e tyre, në vazhdimësi kanë mohuar aktgjykimin, duke theksuar se të dënuarit nuk janë fajtorë, për çka u mbajtën edhe disa protesta.

Portalb.mk ka përgatitur një dosje me të gjitha të dhënat për rastin dhe gjykimin të radhitura sipas kronologjisë.

12 prill 2012 (e enjte) – 4 djelmosha të rinj (18 deri 21 vjeç) dhe një peshkatar 46 vjeçar u vranë në mënyrë misterioze në Liqenin e Smillkovës.

1 maj 2012 – Në një aksion policor u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra. Ekipi i ministres së atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, bashkë me zëvendësin e saj, Xhelal Bajrami, ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe eprorë tjerë të Policisë, në një konferencë për shtyp deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.

Related posts

Edhe një javë mundësi për shkollat që të aplikojnë në konkursin e OSBE-së

admin

Izet Mexhiti: VV de fakto pjesë e listave zgjedhore të Lidhjes, Albin Kurtin e duan shqiptarët për mënyrën si lufton korrupsionin

Gjyla Halili

Dalin shifrat sa shqiptarë kërkuan azil në Angli në vitin 2022

admin