SHBA njoftoi vendosjen e kufizimeve në lëvizjet e personelit të saj në Izrael si masë për arsye sigurie, në sfondin e shqetësimeve se do të ketë hakmarrje nga Irani për bombardimin e konsullatës iraniane në Siri.
Si një masë paraprake, punonjësit e qeverisë amerikane dhe anëtarët e familjeve të tyre nuk lejohen të udhëtojnë jashtë zonave të Tel Avivit, Jerusalemit dhe Beersheba deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga ambasada amerikane në Jerusalem.
Ambasada e SHBA tha se stafit i ishte thënë të mos udhëtonte jashtë zonave të Jeruzalemit të madh, Tel Avivit ose Beer Shevës. Irani është zotuar të hakmerret pasi Izraeli goditi konsullatën iraniane në Siri 11 ditë më parë, duke vrarë 13 persona.
Sulmi erdhi në një kohë të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të parandaluar përhapjen e luftës në Gaza në të gjithë rajonin. Duke folur të mërkurën, presidenti i SHBA, Joe Biden paralajmëroi se Irani po kërcënonte të nisë një “sulm të rëndësishëm” dhe u zotua të ofrojë mbështetje “të hekurt” për Izraelin.
Komandanti përgjegjës për operacionet e SHBA-së në Lindjen e Mesme, Erik Kurilla, ka udhëtuar në Izrael për bisedime me zyrtarë mbi kërcënimet e sigurisë. Pentagoni tha se vizita ishte planifikuar më parë, por ishte përshpejtuar “për shkak të zhvillimeve të fundit”.
Të dielën, një zyrtar iranian paralajmëroi se ambasadat e Izraelit “nuk ishin më të sigurta”, duke sugjeruar se një ndërtesë konsullate mund të ishte një objektiv i mundshëm.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant i ka thënë homologut të tij amerikan se “çdo sulm i drejtpërdrejtë iranian” në territorin izraelit “do të kërkojë një përgjigje të përshtatshme izraelite kundër Iranit”./abcnews.al