AKTUALE

Banka Botërore për RMV-në: Ngrirja e çmimeve është masë afatshkurtër, duhet të sigurohen vende pune më të paguara

Në vend të ngrirjes së çmimeve, duhet të sigurohen vende pune më të paguara, të rritet konkurrenca në sektorin e shitjes me pakicë dhe më shumë ushqime të prodhohen në vend sesa të importohen. Kjo mes tjerash u tha nga Banka Botërore (BB) në prezantimin e sotëm të Raportit të rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor në Shkup, transmeton Portalb.mk nga SDK.

Ekspertët e Bankës Botërore thonë se ngrirja e çmimeve të ushqimeve është masë afatshkurtër dhe jo strukturore që mund të përdoret në afat të gjatë dhe vetëm përkohësisht, artificialisht ruan një nivel çmimi që nuk pasqyron kostot reale të prodhimit dhe flukset në ekonomi.

“Përkundër kësaj, ngrirja e çmimeve ndihmoi në ruajtjen e standardit të jetesës së popullatës në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht gjatë rritjeve më intensive të çmimeve, por nuk është masë që mund të përdoret në afat të gjatë. Në këtë rast, duhet të kaloni në disa masa strukturore që mund të përmirësojnë standardin. Njëra prej tyre është ofrimi i vendeve të punës me cilësi më të mirë dhe më të paguara”, tha ekonomistja Joana Majoska.

Sa i përket subvencioneve të energjisë elektrike për amvisëri, ekonomistja e lartë Sanja Maxhareviq–Shujster tha se ato ndihmuan në afat të shkurtër, por nuk ishin të qëndrueshme në afat të gjatë.

“Kushton para, sidomos kur jep subvencione universale. Vendi juaj ka ndarë shumë fonde për të mbajtur çmimin e energjisë elektrike në nivelin më të ulët në rajon dhe kjo ka ndikim në buxhet. Ne shohim se deficiti është shumë më i madh se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ka kosto që duhet paguar për zbatimin e këtyre masave, por a janë ato të qëndrueshme në terma afatgjatë? Me shumë mundësi jo, sepse ato kushtojnë para dhe nuk ndryshojnë sjelljen apo strukturën e ekonomisë. Prandaj, duhet të mbështetet kalimi në burimet e rinovueshme të energjisë, më pak varësi nga importet dhe burimet më të shtrenjta të energjisë”, tha Sanja Maxhareviq–Shujster.

Sipas saj, duhet të ndryshohet sjellja e konsumatorëve dhe energjia elektrike të konsumohet më me kujdes.

“Ka rritje shumë të mëdha në vendet evropiane. Vendi ku unë jetoj ka pasur rritje prej mbi 25 përqind vetëm vitin e kaluar, fatura ime personale e energjisë elektrike tani është 50 përqind më e lartë se sa ishte në 2021. Jemi shumë të kujdesshëm si e përdorim energjinë elektrike, por këtu nuk kam parë ndryshim të tillë në sjellje. Kemi pasur ulje shumë të madhe të përdorimit të energjisë elektrike në Evropë, kur bënte ftohtë nuk përdorej energji për ngrohje, njerëzit jetonin në temperatura më të ulëta, por këtu nuk kemi parë këtë lloj ndryshimi në sjellje. Kjo është arsyeja pse ndikimet e uljes së çmimeve globale nuk shihen aq shumë. Kjo do të vihet re më së shumti në ekonomitë e vendeve të Evropës Perëndimore që kanë parë rritje vërtetë të madhe të çmimit të energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe”, thotë Sanja Maxhareviq–Shujster.

Ndryshe, nga 29 shkurt 2024 nuk do vlejnë më çmimet e garantuara të produkteve në markete. Rendin në konkurrencën e pandershme, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi se do ta vendos me miratimin e Ligjit për Praktika Tregtare Jokorrekte, i cili sipas tij do të sjellë deri në zvogëlimin çmimeve të produkteve ushqimore.

Related posts

Musa Xhaferi nga Dollneni: Më 8 Maj do të vulosim fitoren e madhe

Gjyla Halili

Mexhiti: 10.000 euro për secilin individ, do të shpërndajmë 49% të aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore

Gjyla Halili

REISUL ULEMA MER PJESË NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE NË KAIRO ME FTESË TË MINISTRIT TË RI PËR ÇËSHTJE FETARE PROF. DR. USAMEH EL EZ’HERIJ

Gjyla Halili