AKTUALE

Jo çdo kush merr pjesë me vullnet të plotë në tubime, detyrimet të ndalen!

Detyrimet janë format përmes të cilave mbushen sallat ku organizohen tubimet partiake, kjo formë është shndërruar në normalitet duke u përsëritur çdoherë që ka nevojë partia. Por, në vetvete detyrimi është mjeti më anti demokratik që ekziston, prandaj tingëllon kontradiktore kur partitë politike gojën plotë demokraci, parime e vlera e evropiane e në praktikë veprojnë me metoda diktatoriale. Detyrimi i të punësuarve, veçanërisht administratoreve që të marrin pjesë në çdo tubim partiak nuk është gjë tjetër pos dhunë klasike psiqike. Kur punësimet bëhen nëpërmjet partisë nuk nënkupton që të punësuarit janë vegla të partisë, por kjo praktikë nuk merr fund përderisa nuk shkaktohet revoltë e brendshme e të gjithë të përfshirëve në këtë rreth vicioz në të cilin as që mund të qëndrojnë e as që bëjnë përpjekje të dalin, shkruan Zhurnal.

Administrata me presione politike, të punësuarit detyrohen të shkojnë në tubime partiake –

Drejtuesit e Sindikatave thonë se kanë marrë ankesa nga të punësuarit në administratë për presione politike gjatë fushatës. Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë thotë se kanë pranuar ankesat për trysni që të marrin pjesë nëpër tubime partiake.

“Deri te ne vetëm se na kanë arritur reagime nga qytetarët ku, të mos them fjalë për fjalë se janë të detyruar të shkojnë në mitingje të caktuara, në udhëtime të caktuara. Apel deri te punëtorët nëse, siç vetëm arrijnë apele, të paraqesin te ne në sindikatë dhe ne pa pardon atë institucion apo atë udhëheqës që do të kryejë trysni që pa vullnetin e tij të shkojë në mitingje, do t’i publikojmë në konferencë për shtyp”, tha Marjan Risteski, kryetar i Konfederatës së Organizatave Sindikale .

Kryetari i Sindikatës së të Punësuarve në Administratë Tërpe Deanovski, thotë se kushtëzimi apo detyrimi i administratorëve për të marrë pjesë në tubime partiake është keqpërdorim.

“Duhet ta dinë, dhe jam i sigurt se edhe punëtorët dhe partitë e dinë se ky është keqpërdorim klasik i të punësuarve në administratë, gjyqësor apo në të gjithë sektorin publik. Partitë politike t’i largojnë duart nga zyrtarët administrativ, zyrtarët gjyqësor, të mos i detyrojnë të shkojnë në mitingje partiake, të nënshkruhen në çfarëdo lista, të mos i kërcënojnë me humbje të vendit të punës,” tha Tërpe Deanovski, Kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Administratës.

Drejtuesit e dy sindikatave u bëjnë apel partive politike që t’i lënë punëtorët të lirë në të drejtën e tyre për votim dhe pjesëmarrje ose jo nëpër tubime.

Fenomeni i “punësimeve partiake” është i njohur në Maqedoninë e Veriut –

Maqedonia e Veriut krahas problematikave tjera që ka për sa i përket shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, njëra ndër shqetësimet tjera është edhe fakti që administrata shtetërore është e mbingarkuar me të punësuar, që një pjesë e tyre nuk i kanë as kualifikimet e duhura. E pikërisht kjo pjesë e të punësuarve u shërbejnë partive politike gjatë kohës së fushatave për t’ia mbushur sallat dhe për të duatrokitur çdokënd të partisë çfarëdo që flet.

Prandaj, është e domosdoshme që administrata shtetërore të pastrohet nga të punësuarit partiak që janë aty për të marrë një pagë e në shkëmbim të kësaj nuk bëjnë gjë tjetër pos që kalojnë kohën kot dhe nuk janë të gatshëm të avancohen e as të kryejnë punën për të cilën janë të ngarkuar. Çlirimi i administratës do të çlirojë edhe këta “administratorë” të cilët shpesh herë gjenden nën presion dhe detyrim që t’i përgjigjen thirrjeve partiake.

Pasi është e pakuptimtë sepse po flitet për shtetin kandidat për të qenë pjesë e BE-së. Por, Bashkimi Evropian nuk pranon dot shtete që nuk janë të gatshme të harmonizojnë ligjet e tyre me ato të BE-së, prandaj do të jetë rrugë e gjatë e anëtarësimit e aq më e gjatë e përmirësimit dhe çrrënjosjes së asaj praktike që ka shkërmoq shoqërinë duke vendos kriter të punësimit partizimin.

Nuk është vetëm administrata publike apo shtetërore në të cilën ka të punësuar partiak, edhe institucionet tjera nuk qëndrojnë sidomos ato arsimore e shëndetësore. Dhe, kjo praktikë ka shkatërruar secilin sektor ku është përdorur, sepse institucionet e arsimore të partizuara prodhojnë politikanë të paarsimuar, si dhe institucionet shëndetësore të partizuara prodhojnë përkujdesje katastrofale shëndetësore.

Dhe, kur mblidhen gjithë këto pasoja që prodhojnë punësimet partiake nënkuptohet që nuk është e rastësishme kërkesa e BE-së që të marrin fund këto punësime pa kritere njëherë e përgjithmonë, dhe të vazhdohet me normalizim dhe rikthim të shpresës se punësimet bëhen në bazë të kualifikimeve dhe meritokracisë. E me këtë do të eliminohen edhe detyrimet e personave të partisë ndaj këtyre të punësuarve. /Zhurnal.mk

Related posts

Takim i presidentes Siljanovska Davkova me rektorët e universiteteve shtetërore

Gjyla Halili

Velkovski ndaloi përdorimin e veturave zyrtare gjatë fushatës zgjedhore, ja ku mund t’i paraqesin rastet qytetarët

Gjyla Halili

Fondi për Inovacione jep sqarime për firmat Thor Industries dhe Everest XhD

admin