Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij ka treguar mbështetjen për Palestinën, e cila është zhytur nën shtypjen izraelite, duke i dërguar popullit palestinez mbi 45 mijë ton ndihma humanitare, transmeton Anadolu.
“Türkiye ka treguar se ne qëndrojmë pranë popullit palestinez në këto momente të vështira me materialin e ndihmës që kemi dërguar në rajon, duke i kaluar 45 mijë tonë në total”, tha presidenti Erdoğan në një video-mesazh, duke shtuar:
Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për vëllezërit dhe motrat tona palestineze derisa gjakderdhja në Gaza të ndalet dhe ata të jetojnë në një Palestinë të lirë, me Kudsin Lindor si kryeqytet, në bazë të kufijve të vitit 1967”.
Presidenti gjithashtu kritikoi Izraelin për agresionin e tij kundër Rripit të Gazës, që ka qenë nën bllokadë të paligjshme izraelite për 17 vjet, duke vrarë dhjetëra mijëra njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
“Që nga 7 tetori, Gaza ka qenë një plagë e gjakosur jo vetëm në zemrat tona, por në ndërgjegjen e mbarë njerëzimit. Jemi përballur me skena brutaliteti në të cilat spitalet, shkollat, kishat dhe xhamitë, të cilat nuk duhet të jenë në shënjestër as në luftë, janë bombarduar qëllimisht”, tha ai.
Duke theksuar se mbi 33 mijë palestinezë janë vrarë deri më tani nga Izraeli, ndërsa mbi 75 mijë janë plagosur, Erdoğan uroi gjithashtu mëshirën e Allahut për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.
Lufta izraelite, tashmë në muajin e saj të gjashtë, ka shkaktuar zhvendosjen e 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në janar nxori një vendim të përkohshëm duke urdhëruar Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.