AKTUALE

Tubimi VMRO-DPMNE, sulmohet ekipi i TV 24/ SHGM dënon sulmin – VMRO DPMNE mohon se incidenti është shkaktuar nga organizatorët e tubimit!

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë u bën thirrje politikanëve që t`i lejojnë gazetarët ta bëjnë punën e tyre gjatë fushatës zgjedhjore. Ky reagim vjen pas sulmit të mbrëmshëm të nje ekipi gazetaresk në tubimin e VMRO-DPMNE-së.

Gjatë tubimit të mbrëmshëm të VMRO DPMNE, para Qeverisë, një person i panjohur ka sulmuar në mënyrë verbale ekipin e Televizionit 24.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka dënuar rastin duke kërkuar përgjegjësi dhe zbardhjen e tij.

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon qëndrimin agresiv dhe kërcënimet verbale ndaj gazetares Elizabeta Damjanovska dhe kolegut të saj kameraman nga TV 24, që ndodhën gjatë tubimit të djeshëm të partisë VMRO DPMNE para Qeverisë nga një person i panjohur. Kërkojmë nga partia politike VMRO DPMNE, si dhe nga pjesëmarrësit e tjerë në fushatën zgjedhore, të dënojnë sulmin ndaj kolegëve të TV 24 dhe incidente të tilla të mos përsëriten”, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Gjatë ditës, VMRO-DPMNE ka dënuar sulmin duke mohuar se incidenti ka të bëjë me organizatorët e mitingut. Opozita maqedonase madje nuk e përjashton mundësinë që në tubim të ketë patur provokime të qëllimta duke drejtuar gishtin drejt LSDM-së.

“Shprehim keqardhje për ofendimet ndaj ekipit të gazetarëve të Tv 24 dhe dënojmë sjelljen e individit. Njëkohësisht rikujtojmë edhe atmosferën ku LSDM-ja dhe Kovaçevski nisën sulmet kundër mediave dhe ekziston mundësia për infiltrimin e provokuesve për të shkaktuar incident në tubimin e parë të VMRO-DPMNE-së që pati jehonë impozante”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat u bëri thirrje partive politike, që gjatë fushatës t’i lënë gazetarët të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale

“Mendoj se në një situatë të tillë ata duhet ta vënë gishtin në kokë dhe të rishikojnë se çfarë lloj mesazhesh do të dërgojnë, tani do të shohim mesazhe gjatë gjithë ditës. Nuk mund të vendosni listën e dëshirave pa thënë se nga do të sigurohet dhe sa do të jetë buxheti”, tha Mladen Çadikovski.

SHGM rikujton se gazetarët kanë cilësi zyrtare dhe se sulmi ndaj gazetarit apo punonjësit të medias gjatë kryerjes së detyrave profesionale është vepër penale e dënueshme me burg./tvklan.mk

Related posts

ALI AHMETI, USHTRIA ÇLIRIMTARE KOMBËTARE DHE KORIDORI 8

admin

Grubi: Nuk kam asgjë të përbashkët me biznesin e vëllaut, ai 20 vite punon në turizëm

admin

Çun Lajçi: Shqiptari s’ka ardhmëri me Mickovca! Kjo s’ju duhet shqiptarëve sepse është mjerim…

Gjyla Halili