Ish-prokurorja publike speciale Katica Janeva dhe kryetari aktual i komunës së Karposhit dhe kandidat për kryetar të shtetit, Stevço Jakimovski, sot janë përfshirë në “Listën e Zezë” të SHBA-ve.
Ky vendim është publikuar në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, përcjell INA.
Në raport thuhet se veprimet e Janevës dhe Jakimovskit kanë cenuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike në vend.
Baza e vendosjes së Janevës në “listën e zezë” të SHBA-ve është se gjatë udhëheqjes së saj me ish-Prokurorin Special Publik, ajo është përfshirë në akte korruptive, si dhe ka përdorur ndikimin dhe pushtetin politik për përfitime të saj personale.
Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Janevën ka të dhëna të besueshme se ajo ka kërkuar dhe marrë ryshfet për të ndikuar në Prokurorinë nën autoritetin e saj.
Për Jakimovskin, megjithatë, thuhet se si kryetar i Komunës së Karposhit ka qenë i përfshirë në vepra korruptive. Thuhet se ai ka shfrytëzuar pozicionin e tij zyrtar për të ndikuar në zhvillimin urban të Komunës, në proceset e prokurimit publik, për të përfituar nëpërmjet tyre përfitime për veten dhe kolegët e tij.
Përveç Janevës dhe Jakimovskit, Departamenti i Shtetit ka futur në “listën e zezë” edhe anëtarët e familjeve të tyre më të afërta, pra dy djemtë e rritur të Jakimovskit, Goce Jakimovski dhe Damjan Jakimovski.
Ish-kryetarja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva, është duke vuajtur një dënim prej shtatë vitesh burg, me të cilin ishte dënuar në rastin “Reket”. (INA)