Të nderuar besimtarë!
Në prag e kemi muajin e shenjtë të Ramazanit, periudhën e shtimit të bekimeve dhe mëshirës së Zotit për besimtarët e tij.
Pemën që e mbollëm në Rexheb dhe e ujitëm gjatë muajit Shaban, tani është koha ta vjelim në këtë muaj.
Në detin e madh të përpjekjeve dhe sfidave, në krizat e mëdha që përjeton sot individi në përcaktimin e tij mes së mirës dhe të keqes, në këto kohë të dinamizmit të shtuar të jetës dhe hapjes së horizonteve dhe mundësive, Muaji i Ramazanit i vjen muslimanit si një zgjidhje ideale e të gjitha mjegullirave të qenies dhe qetësues i valëve të furishme të brendësisë së tij.
Ramazani është muaji që ushqen njeriun në të gjitha format e ekzistencës së tij.
Nëpërmjet agjërimit dhe faljes gjatë natës, neglizhon pjesërisht anën materiale të njeriut për ta shtuar fokusin në anën shpirtërore të tij, por duke mos e anashkaluar atë plotësisht
duke ia lejuar pas iftarit sendet që gjatë ditës i kishte të ndaluara. Trajton me kujdes edhe aspektin intelektual duke e specifikuar këtë muaj si muaj të shpalljes së Kur’anit, leximit dhe mësimit tij, por trajton gjithashtu edhe aspektin emocional brenda njeriut nëpërmjet zhvillimit të emocioneve si empatia me ata që janë të privuar, solidariteti nëpërmjet sadekatul fitrit dhe zeqatit dhe ndjenja e falënderimit për mirësitë që i gëzojmë gjatë njëmbedhjetë muajve të tjerë.
Forma e trajtimit të këtyre katër komponentave të qenies sonë përkufizon kuptimin e vërtetë të devotshmërisë që kërkohet prej nesh nga All-llahu Fuqiplotë kur thotë:
“O besimdrejtë, ju është bërë juve obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim për ata që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183)
Të shtrenjtë besimtarë!
Kjo është esenca e devotshmërisë që kërkohet prej nesh – zhvillimi ynë në një kuptim gjithëpërfshirës. Përvetësimi i drejtë i këtij koncepti gjatë këtij muaji është qëllimi kryesor i ligjësimit të adhurimeve të Ramazanit.
Andaj, le të shërbejë ky muaj si udhëzues i qartë për formën si duhet trajtuar qenien tonë, në tërësinë e saj, që të kënaqim Krijuesin, duke i shërbyer tjetrit nëpërmjet përmirësimit të vetes – kësisoj duke arritur devotshmërinë.
Ju qoftë përhajr Ramazani, muaji i devotshmërisë!
Sjelltë ky muaj paqe, udhëzim e prehje për ju dhe të dashurit tuaj!
All-llahu ua pranoftë agjërimin dhe të gjitha adhurimet!