Sot me datë 07.03.2024 në hapësirat e Bashkësisë Fetare Islame në Shkup u mbajt mbledhja e rregullt vjetore e Kuvendit të BFI-së. Në rend dite mes tjerash ishin edhe shqyrtimi dhe miratimi i raportit të punës njëvjeçare të BFI-së për vitin 2023, shqyrtimi dhe miratimi i llogarisë përfundimtare dhe plani financiarë i Rijasetit të BFI-së për vitin 2024 dhe verifikimi i llogarive përfundimtare të muftinive për vitin 2023 dhe planet financiare për vitin 2024. Pas hapjes së mbledhjes me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi i mirënjohur, Eljesa Ef. Asani, kryetari i Kuvendit, Nesib Ef. Demiri shpalosi rendin e ditës dhe ia kaloi fjalën Reisul Ulemasë, H. Hfz. Shaqir Efv. Fetai i cili në detaje raportoi për të gjitha aktivitetet e tij dhe Rijasetit për vitin 2023. Reisi tha se ai dhe Rijaseti në vitin 2023 kanë pasur aktivitete të shumta, vizita nga ambasadorë të shumtë, delegacione nga brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrje të shumta në simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare dhe se kanë pasur raporte dhe bashkëpunim shumë frytdhënës me bashkësitë islame të rajonit dhe më gjerë, dhe me këtë është konfirmuar se BFI është faktor shumë i rëndësishëm në vendin tonë dhe më gjerë. Në fund, Reisul Ulema dha vlerësimin e tij se viti 2023, përkundër disa sfidave të brendshme, ka qenë vit shumë i suksesshëm në të gjitha aspektet. Në vazhdim u hap debat konstruktiv dhe shumë anëtarë të kuvendit dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për shumë çështje që kanë të bëjnë me organizimin e jetës fetare në vend dhe me përgatitjet për muajin e Ramazanit të Bekuar. Më pas, nga ana e përgjegjësit për çështje financiare, z. Xhelal Memetit u bë edhe prezantimi i hollësishëm i rezultateve financiare dhe shpalosi planet për vitin 2024. Pas gjitha analizave, falë punës dhe angazhimeve të sinqerta dhe me një strategji të qartë ekonomizimi nga ana e Reisul Ulemasë, Rijasetit, Muftinive dhe gjitha organeve të BFI-së, ka rritje prej 30% në krahasim me vitin paraprak. Pas shqyrtimit dhe miratimit të gjitha pikave të rendit të ditës, mbledhja përfundoi me leximin e disa ajeteve kuranore nga Sadulla Ef, Abdullau.