AKTUALEKOSOVË

Krerët e shtetit homazhe në Prekaz: Jasharët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë

Liderë shtetërorë e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së.

Ata kanë shprehur mirënjohje të thellë dhe përkujtim të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen heroike Jashari.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas homazheve në një adresim për media, tha se Jasharët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia e Kosovës.

Osmani tutje u shpreh se Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit të Kosovës dhe që simbolizon lirinë.

“Familja Jashari do të mbetet përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Siç e shihni jo vetëm përgjatë epopesë, por edhe periudha të ndryshme të vitit, kemi fëmijë nga shkolla anembanë Kosovës që vinë këtu jo vetëm për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë e guximin e tyre”, theksoi Osmani.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen tonë kombëtare.

“Nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë nëpër botë, vinë e përkulen para varreve të bacës Shaban, Ademit, Hamzës dhe gjithë familjarëve që u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë”.

Konjufca u shpreh se për sa kohë të ketë popull shqiptar, për sa kohë të ekzistojë kombi, Prekazi gjithmonë do të jetë një vend ku “jo vetëm përkulemi, por edhe gjejmë frymëzim vazhdimisht e patriotizëm se si mbrohet vendi e se si të ushqehet liria”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “Prekazi heroik e historik, kujton çmimin dhe rrënjët e lirisë që gëzojmë”.

“Të gjithë duhet të vinë në këtë vend që të mos harrojmë e të mos devijojmë. Të mos harrojmë të kaluarën e të mos devijojmë drejt të ardhmes”, ka thënë Kurti. “Me përkulje respekti e ndjenjë admirimi gjithnjë e përgjithmonë u jemi falënderues e mirënjohës Jasharëve. Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari, UÇK-së e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit”, deklaroi Kurti.

Related posts

Kuvendi debatoi për Ligjin për procedurë civile

admin

Memet Zhaku: Qasje të reja për parandalimin e krimit te të rinjtë

admin

Ahmeti: Mbështes plotësisht arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

admin