Rreth 100 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut gjenden në “zonën e rrezikut” lidhur me mundësinë për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Ende nuk është e qartë nëse do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës qytetarët e moshës madhore (mbi 18 vjeç), që nuk kanë letërnjoftim, por posedojnë pasaportë të vlefshme me emrin e vjetër kushtetues të shtetit. “Kjo varet nga vendimi i deputetëve”, thotë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, duke u përgjigjur ndaj gazetarëve.
KSHZ ka propozuar miratimin e një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor që dokumentet me emrin e vjetër të jenë të vlefshme vetëm për këto zgjedhje, në mënyrë që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejtën e tyre të votës, shkruan Zhurnal. Dokumentet e vlefshme sipas Kodit Zgjedhor janë dokumenti i udhëtimit (pasaporta) dhe letërnjoftimi, theksoi Dashtevski, dhe sipas tij, personat që kanë mbushur moshën 18 vjeçare do të mund të regjistrohen për t’u përfshirë në Listën zgjedhore.
“Kemi bërë propozim që KSHZ-ja të jetë tashmë në Kuvend. Në Kodin Zgjedhor të bëhet një ndryshim në të cilin do të ketë një dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje, që të vlejnë edhe dokumentet e vjetra por të vlefshme për zgjedhjet që të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën sipas parimit ‘një votues, një votë’. A do të miratohet apo jo, varet nga Kuvendi”, tha Dashtevski.
KSHZ fitoi anëtarin e shtatë, Abdush Demiri bëri betimin solemn.
Anëtari i sapozgjedhur i Komisionit, Abdush Demiri, sot ka dhënë deklaratën solemne në Kuvend. Me zgjedhjen e Demirit nga BESA si anëtar i shtatë, përbërja e KSHZ-së u kompletua pas gati një viti grindje mes pushtetit dhe opozitës. Dashtevski beson se Demiri me ndërgjegje dhe profesionalizëm do ta kryejë detyrën e tij dhe me kompletimin e përbërjes së KSHZ-së, sipas tij, nuk lihet vend për asnjë manipulim apo dyshim në procesin zgjedhor.
Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të përditësuara të KSHZ-së, për kandidaten presidenciale Gordana Siljanovska-Davkova kanë nënshkruar 28.029 qytetarë, ndërsa për kandidaturën e presidentit aktual Stevo Pendarovski kanë nënshkruar 21.852 persona. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatin për President skadon më 8 mars në mesnatë. Por sot nuk vërehen turma, siç vëreheshin gjatë fundjavës. Sipas informacioneve nga KSHZ, Siljanovska Davkova, Pendarovski, Dimitrievski dhe Osmani kanë tërhequr listat e nënshkrimeve në disa nga zyrat rajonale.
Dy ditët e fundit VMRO DPNE në Konventë dhe LSDM në Kongres konfirmuan kandidaturat e Siljanovska Davkovës dhe Pendarovskit. Të dy para delegatëve të partisë premtuan përparimin e vendit.
Zgjedhjet presidenciale më shtatë kandidatë, gjashtë tjerët deri tani më pak se 1.500 nënshkrime.
Deri tani janë konfirmuar shtatë kandidatë për president të vendit me nënshkrime të qytetarëve, ndërsa për katër të tjerë procedura vazhdon dhe përfundon më 8 mars në mesnatë. Sipas gjitha gjasave, në garën presidenciale d të marin pjesë këta shtatë kandidatë: Gordana Siljanovska-Davkova, Stevo Pendarovski, Bujar Osmani, Arben Taravari, Maksim Dimitrievski, Biljana Vankovska dhe Stevço Jakimovski. Pretendentët tjerë-Velo Markovski, Mersiha Smailoviq, Gjorgji Manaskov, Tome Nikollovski, Zorica Cvetkovska dhe Gospodin Popovski, kanë grumbulluar më pak se 1.500 nënshkrime dhe gjasat që të garojnë për president i kanë vetëm teorike, shkruan Zhurnal.
Ndryshe, zgjedhjet e shtata presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.
Afatet për zgjedhjet parlamentare skadojnë më vonë, prandaj ende nuk dihet mem saktësi numri i garuesve në to. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj. Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare./Zhurnal