Rikthehet reklamimi shtetëror në televizionet private pasi deputetët miratuan ndryshimet në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive.
Ndryshimet në fakt fshijnë nenin 102, ku thuhet se “organet shtetërore, organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet publike, njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike, si dhe personat juridikë me kompetenca publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi të plotë shtetërore nuk mund të parashikojnë mjete për informimin dhe njohjen e publikut me shërbimet apo aktivitetet e tyre nëpërmjet transmetuesve privatë”.
Me këtë ndryshim nuk ka më pengesë ligjore për reklamimin e Qeverisë dhe komunave në transmetuesit privatë dhe për fushatat reklamuese me interes publik shuma “0.1 për qind e buxhetit të shtetit nga të ardhurat tatimore të përcaktuara në llogarinë e miratuar përfundimtare të buxhetit”.
Të pesë televizionet private kombëtare pritet të marrin së paku dy milionë euro nga fushatat shtetërore të Qeverisë, e cila sipas ligjit duhet të zhvillojë të paktën një fushatë shtetërore në vit.
Kundër ndryshimeve në këtë ligj ishin të gjitha organizatat gazetareske, SHGM Sindikatat e Gazetarëve të cilët besojnë se kjo do të nënkuptojë ndikim partiak dhe varësi e mediumeve.