AKTUALE

Komuna e Kërçovës për katër vitet e fundit ka miratuar 95% të kërkesave për leje për ndërtim

Komuna e Kërçovës, prej vitit 2018 deri në vitin 2022 ka lëshuar 95 përqind të lejeve për ndërtim, ndërkaq prej më shumë se një mijë kërkesa për legalizim të objekteve, komuna ka zgjidhur vetëm 300 prej tyre, tregon hulumtimi “Plane të Përgjithshme Urbanistike (PPU) të vjetruara, ndryshim i shpeshtë i planeve detajore urbanisike (PDU)” i publikuar sot nga Qendra për Komunikime Qytetare, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi në të cilin është përfshirë komuna e Kërçovës analizon praktikat aktuale të tetë komunave në vend në lidhje me planifikimin hapësinor dhe lëshimin e lejeve për ndërtim. Hulumtimi përfshin periudhën kohore prej vitit 2018 deri në vitin 2022 dhe përfshin tetë komuna në Maqedoninë e Veriut , Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Tetovë, Strumicë, Çair dhe Shtip. Qëllimi i këtij hulumtimi është të ulë rrezikun e korrupsionit gjatë procesit të dhënies së lejeve për ndërtim duke promovuar transparencën dhe integritetin e këtyre procedurave.

Sa i përket Komunës së Kërçovës, nga të gjitha komunat e përfshira në hulumtim, ajo ka dhënë më së shumti lëshime të kërkesave për ndërtim, gjegjësisht komuna 95% të kërkesave për leje për ndërtim i ka miratuar.

Sa u përket kërkesave për përcaktim të statusit juridik të objektit apo ndryshe për legalizim të objekteve, që nga viti 2018 deri në vitin 2022 në Kërçovë janë parashtruar 1009 kërkesa për legalizim dhe prej tyre janë zgjidhur 300 apo 29,7 përqind.

Komuna e Kërçovës ka miratuar programe vjetore për përpunimin e dokumenteve të planeve urbanistike, mirëpo programet për vitin 2018 dhe vitin 2022 janë miratuar me vonesë prej një muaji në raport me afatin ligjor.

Në pajtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, i cili ishte në fuqi deri në vitin 2020, komunat e kishin për detyrë që çdo vit të shpallin nga dy thirrje publike për parashtrim të iniciativave për përpunimin e planeve urbanistike nga ana e personave juridikë dhe personave fizikë të interesuar.

Domethënë, që për këto vite komunat janë dashur të kenë shpallur 5 thirrje publike dhe këtë e ka bërë siç duhet vetëm komuna e Manastirit, ndërsa komuna e Kërçovës këtë e ka kryer pjesërisht me vetëm një shpallje për parashtrim të iniciativave për përpunimin e planeve urbanistike nga persona fizikë dhe persona juridikë të interesuar. Për dallim nga Tetova dhe Shtipi që nuk kanë shpallur as një.

Sa u përket hapësirave publike siç janë sheshet, parqet, komplekset sportive asnjëra prej tyre nuk është ridedikuar në parcelë ndërtimore gjatë këtyre viteve.

Plani i përgjithshëm Urbanistik i Kërçovës është i vjetër 24 vite, i miratuar në vitin 2000 dhe deri më tani në të janë bërë pesë ndryshime në të. Ndërkaq sa i përket Planeve të Detajuara Urbanistike, komuna ka miratuar gjithsej 4 dhe ka bërë 11 ndryshime të atyre ekzistuese me iniciativë të personave fizik apo juridik dhe jo me iniciativë të komunës.

Data e miratimit të PPU-së aktual dhe numri i ndryshimeve. Burimi: Qendra për Komunikime Qytetare
Të gjitha komunat, të cilat janë lëndë e analizës, në suaza të akteve për sistematizim dhe organizim të vendeve të punës kanë paraparë njësi organizative për urbanizëm dhe ndërtimtari, njësi, të cilat janë kompetente për të vepruar lidhur me kërkesat e parashtruara për lëshim të lejeve për ndërtim. Një pjesë e komunave kanë seksione për urbanizëm dhe ndërtimtari, ndërsa në një pjesë ato janë të integruar në sektorë. Të dhënat e dërguara nuk mundësojnë analizë të saktë të numrit të vendeve të punës me detyra nga fusha e urbanizmit dhe ndërtimtarisë dhe krahasimin e tyre në shifra absolute duke e pasur parasysh që nga disa komuna janë fituar të dhëna për sektorë të tërë të cilët përfshijnë edhe vende tjera pune. Në pajtim me të dhënat e fituara nga tetë komunat, mund të konstatohet që shkalla mesatare e plotësimit të vendeve të punës në njësitë përkatëse organizative është vetëm 62%. Përqindja më e madhe e vendeve të paplotësuara të punës është në komunën e Kërçovës, ku me përqindje, më tepër se gjysma e vendeve nuk janë të plotësuara (44%).

Në shtatë prej komunave, inspektorët përpilojnë plan/program për punë si dhe raporte periodike/ vjetore për punën e realizuar, ndërsa në përgjigjen nga komuna e Kërçovës, është cekur që për shkak të ndryshimeve të rregullores ligjore, ata më nuk përgatisin programe për punë, ndërsa përpilojnë raporte për punën e realizuar. Gjatë periudhës në fjalë, komuna e Kërçovës ka zbatuar gjithsej 471 mbikëqyrje inspektuese. Nga të dhënat e pranuara nuk mund të konstatohet lloji i mbikëqyrjes për secilin vit veçmas.

Related posts

Blerim Bexheti – Izet Mexhitit: Ne nuk festojmë humbjen ashtu siç bënin serbët!

Gjyla Halili

Musliu: Deklarata e Siljanovskës do të ketë pasoja

Gjyla Halili

Kancelari gjerman Scholz: Thelbi i negociatave me BE mbetet sundimi i ligjit, mediat e lira po ashtu janë shumë e rëndësishme

admin