Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Ziadin Sela, ka komentuar edhe mbështetjen e kryeministrit kosovar, Albin Kurti për opozitën shqiptare në zgjedhjet e muajit maj që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se kur është takuar me Kurtin, i kishte thënë se Vetëvendosja nuk merr pjesë në zgjedhje në Maqedoni të Veriut.
“E njëjtë ishte edhe deklarata e tij kur ishte në Shkup në Samit, në të cilën është deklaruar. Pozicionin e Bekim Qokut ku tha se ka dëshirë të dalë si deputet unë s’mund t’i them jo. Unë nuk mendoj se ai merr pjesë në zgjedhje por edhe nëse merr unë i kam dalë borxhit Albin Kurtit, sa herë ka qenë e nevojshme. Kam qenë prezent në fushatat e tij, në zgjedhje parlamentare në Kosovë, dhe nuk du të besoj që Albin Kurti duhet të ketë gisht te kjo që po i ndodh Aleancës për Shqiptarët”, tha Sela, për “Kallxo Përnime“.
Ai shtoi se ka shumë akterë politikë që sipas tij mundohen të shfrytëzojnë edhe Vetëvendosjen edhe imazhin e saj.
“Kam parë kryetarë partish që më shumë flasin për Vetëvendosjen se sa flasin për emrin e partisë së vet”, tha Sela.
VV-ja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe partitë opozitare – Lëvizjes Besa, partisë Alternativa dhe Lëvizjes Demokratike – pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 08.05.2024.
Një ditë më parë kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po ndërhyn në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe se kjo nuk i bënë mirë shtetit të Kosovës.
Xhaferi tha se “ndërhyrja e Kurtit në Maqedoninë e Veriut hap dyer që nuk duhet të hapen”.
“Nuk mendoj që i bënë mirë Kosovës dhe subjektit që e udhëheq. Pasi hap dyer që nuk duhet t’i hap. Ne jemi për ndryshime për të mirë, por për këtë vendos populli. Ne jemi bartës të funksioneve shtetërore dhe duhet të jemi përgjegjës për bartjen e pushtetit shtetëror dhe duhet ta bëjmë dallimin me të qenurit kryetar i një subjekti politik. Komunikimi ndërpartiak dhe institucional duhet të jetë i ndarë”, tha mes tjerash Xhaferi.
Më 08.05.2024 qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë për të zgjedhur qeverinë e tyre, pas dorëheqjes së kryeministrit Dimitar Kovaçevski më 25.01.2024.
Deri atëherë, ky vend do të udhëhiqet nga Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi, i cili është kryeministri i parë shqiptar që ka drejtuar./Gazeta Lajm
previous post
next post