AKTUALEBOTA

SHBA me sanksione të reja kundër Rusisë, vë në shënjestër mbi 500 individë dhe subjekte

Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten vendosjen e sanksioneve të reja gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, në prag të përvjetorit të dytë të sulmit të Moskës kundër Kievit. Masat e reja, që vijnë në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të rritur trysninë ndaj Kremlinit, vënë në shënjestër mbi 500 individë dhe subjekte.

Masat synojnë të godasin sistemin kombëtar rus të pagesave me kartela të njohur si ‘Mir’, institucionet financiare ruse, bazën e saj industriale ushtarake, individët dhe kompanitë që kanë shmangur sanksionet amerikane kundër Rusisë, sektorin e energjisë dhe fusha të tjera.

Sanksionet përfshijnë edhe zyrtarë që kanë luajtur rol në burgosjen dhe vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq javën që shkoi në një burg në Arktik.

Departamenti amerikan i Shtetit vuri sanksione ndaj tre zyrtarëve të Shërbimit Federal të Burgjeve në Rusi të cilët i akuzoi se kanë lidhje me vdekjen e opozitarit Navanly, duke përfshirë zëvendësdrejtorin e këtij institucioni, i cili thuhet se udhëzoi stafin e burgut të ushtronte trajtim të ashpër ndaj kritikut të Kremlinit.

Presidenti Biden fajësoi drejtpëdrejt Presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny.

Në një fjalim para guvernatorëve amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, ai përmendi takimin që kishte patur me bashkëshorten dhe vajzën e zotit Navalny të enjten në San Francisko, duke thënë se i siguroi që “trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë në mbarë botën dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë që Putini të pagujë një çmim për agresionin e tij jashtë vendit dhe shtypjen brenda vendit”.

“Kievi është ende në këmbë, Ukraina është ende e lirë dhe populli i Ukrainës mbetet i papërkulur dhe i pathyeshëm”, tha më tej Presidenti Biden gjatë fjalimit të tij ku foli edhe për sanksionet e fundit të SHBA-së kundër Rusisë, qëndresën e popullit ukrainas dhe mbështetjen amerikane për Kievin.

Ai shtoi se Uashingtoni duhet të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, e cila po përballet me mungesa të mëdha municionesh, ndërsa ndihma ushtarake amerikane është bllokuar prej muajsh në Kongres.

Departamenti amerikan i Thesari vuri në shënjestër rreth 300 individë dhe subjekte, Departamenti amerikan i Shtetit goditi mbi 250, ndërsa Departamenti i Tregtisë shtoi mbi 90 kompani në listën e kompanive të sanksionuara.

Vendimi zgjeron listën e sanksioneve nga viti i kaluar, kur Shtetet e Bashkaura vendosën masa ndaj mbi 200 individëve dhe subjekteve, ndërsa Departamenti i Tregtisë vuri në shënjestër 90 kompani në përvjetorin e parë të luftës.

Sanksione e së premtes nga Shtetet e Bashkuara vijnë në koordinim me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britanisë. Këto janë të fundit nga mijëra masat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aletët e tyre, pas sulmit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, lufta që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkatërruar qytete.

Ekonomia ruse, e përqëndruar në eksporte, është treguar më e qëndrueshme ndaj sanksioneve të pashembullta sesa ishte ishte parashikuar.

Administrata e Presidentit Biden ka shteruar paratë e miratuara më parë për Ukrainën dhe një kërkesë për fonde shtesë është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

“Është jetike që Kongresi të lëvizë dhe të bashkohet me aleatët tanë në mbarë botën, për t’i dhënë Ukrainës mjetet për të mbrojtur veten dhe lirinë e saj kundër sulmit barbar të Putinit”, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.

Related posts

Moti sot në Kosovë kryesisht me diell

admin

Grubi realizoi takim me Marash Dukaj, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi

admin

Vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

Gjyla Halili