AKTUALEBOTA

Takimi i G20-ës në Brazil, Baerbock: Bota nuk e harron se çfarë ka bërë Putini

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të martën vonë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për luftë në Ukrainë dhe për pasojat globale që i ka shkaktuar ajo, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara – G20, këtë javë.

“Nëse Putini mendon se pas dy vjetëve bota do të harrojë se kush është përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, e ka shumë gabim”, tha Baerbock të martën para se të nisej për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Brazil.

“Ne nuk do të heqim dorë nga parimet themelore të Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesim fuqishëm Ukrainën, sa të jetë e nevojshme dhe derisa populli i saj mund të jetojë në paqe dhe në liri përsëri”, shtoi ajo.

Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ukraina, lufta në Rripin e Gazës dhe kërcënimi i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të luajnë rol të rëndësishëm gjatë takimit të G20-ës.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të marrë pjesë në takim në Rio de Zhaniero.

“Me humanizmin dhe përkushtimin tonë ndaj ligjit ndërkombëtar, ne i luftojmë kundër pamëshirëshmërisë së aktorëve, siç është qeveria ruse”, theksoi ajo.

E tërë bota do të përfitojë “nëse të gjithë ne u përmbahemi rregullave për të cilat jemi pajtuar së bashku”, tha ajo.

G20 u themelua me besimin e “zgjidhjet e përbashkëta janë të mundura nëse ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe i bashkojmë forcat”, nënvizoi Baerbock./REL

Related posts

“Merimanga” për disa ditë ka ngritur mbi 100 vetura në Qendër

admin

Si të bëheni më të përgjegjshëm me paratë tuaja?

Gjyla Halili

BFI merr pjesë në Samitin Botëror të Hallallit

Gjyla Halili