Me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë të Republikës së Kosovës, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me zyrtarë komunalë dhe asamblistë, kanë vendosur lule të freskëta dhe kanë bërë homazhe pranë Memorialëve të dëshmorëve, në 20 vende, duke filluar nga Memoriali në Marinë, për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit.
“Më shumë se në çdo ditë tjetër, sot i kujtojmë dhe nderojmë, heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, e kujtojmë përkushtimin e gjeneratave për çlirimin e vendit dhe jetësimin e shtetit tonë, Republikën e Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.
Shkrimi i plotë i Lladrovcit në rrjetin social:
Qytetarë të nderuar, urime Dita e Pavarësisë!
Sot, për nder të 16-të vjetorit të Pavarësisë të Republikës së Kosovës, kemi mbajtur disa aktivitete në komunën tonë. Ditën e filluam me homazhe pranë Memorialit të dëshmorëve në Marinë dhe pranë shtatores së heroit Dr. Hafir Shala.
Bashkë me drejtorët e drejtorive dhe asamblistët, në pesë grupe, me lule të freskëta dhe homazhe, kemi nderuar dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë edhe pranë 18 memorialëve.
Homazhet janë zhvilluar në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Terdec, Gllobar, Terstenik, Verboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Vjetër dhe Nekoc.
Dita e Pavarësisë, ditë të cilën e ëndërruan për një shekull paraardhësit tanë, është mrekulli e cila u realizua më 17 shkurt 2008, duke u bërë ditë e kurorëzimit të përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri.
Kjo ditë, më shumë se ditët tjera, na obligon të mendojmë se a kemi punuar mjaftë, a po punojmë si duhet dhe si të punojmë më shumë e më mirë.
Në këtë ditë, e kemi obligim të kujtojmë tërë historinë shekullore nën okupim, për të dhënë premtimin tonë se lirinë do ta ruajmë si sytë e ballit dhe ndihmën e mikut në ditët e vështira nuk guxojmë ta harrojmë.
Më shumë se në çdo ditë tjetër, sot i kujtojmë dhe nderojmë, heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, e kujtojmë përkushtimin e gjeneratave për çlirimin e vendit dhe jetësimin e shtetit tonë, Republikën e Kosovës.
Në këtë ditë si në asnjë tjetër, të jemi bashkë, për të nderuar heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët që padrejtësisht janë në Hagë, duke bërë më të mirën për ta dhe shtetin tonë.
Interesi kombëtar, ashtu sikur gjuha jonë e bekuar shqipe, është i pandashëm nga të arriturat e lirisë, andaj, çdo ditë ta bëjmë vendin tonë më të mirë, më të begatë e më të çmuar.
Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Urime Dita e Pavarësisë!
https://www.facebook.com/share/p/9oXb6emSTxHDJ3xY/?mibextid=WC7FNe