Mary Camaj
Foto: Eleni Mazija
Më 12 shkurt 2024, studentë dhe profesionistë të rinj shqiptarë nga New York, New Jersey, dhe Connecticut u mblodhën në Bronx për të diskutuar çështje që ata besojnë se janë të rëndësishme për komunitetin dhe të dobishme për zhvillimin e organizatave rinore shqiptare. Biseda u drejtua nga znj. Emina Çunmulaj Nazarian, filantropiste, aktiviste, modele, anëtare e Keshillit Koordinues të Diasporës dhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Florida. Znj. Çunmulaj, krahas ish-anëtarit të Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, ish-deputetit të Shtetit të Nju Jorkut dhe Kryetarit të Keshillit Koordinues i Diasporës Z. Mark Gjonaj, u përpoqën të kapërcenin hendekun midis brezit të tyre dhe rinisë shqiptare në një përpjekje jo vetëm të nxisin bisedën, por edhe inkurajimin e bashkëpunimit mes dy palëve.
Znj. Çunmulaj kujtoi jetën e saj të hershme dhe vështirësitë me të cilat kishte hasur si vajzë e re që jetonte në Tuz të Malit të Zi. Ajo i bëri jehonë forcës që zotëronte nëna e saj dhe admirimit që kishte për njerëzit në fshatin e saj. Edhe sot znj. Çunmulaj theksoi se sa e veçantë është vendlindja për njeriun. Është vazhdimsia e lidhjes me atdheun tëndë arsyeja që vetja juaj e vërtetë qendron e fortë përballë veshtirësive. Ajo vuri në dukje se “për çdo gjë të vështirë ia vlen të luftosh”. Përballë diversitetit, është identiteti ynë shqiptar ai që përcakton dhe në fund na fuqizon të jemi versioni më i mirë i vetes.
Z. Gjonaj theksoi vlerën e të rinjve shqiptarë si në nivelin personal ashtu edhe në atë kombëtar, duke thënë: “Shpesh dëgjojmë se duhet të investojmë në brezin e ardhshëm. Ju jeni brezi i ardhshëm. Ju nuk duhet të mësoni nga gabimet tuaja kur të tjerët i kanë bërë ato gabime dhe ata mund t’ju ndihmojnë t’i shmangni ato.” Nëpërmjet mentorimit, mund të bëhet një shkëmbim idesh dhe mësimesh ndërmjet brezave. Duke vepruar kështu, ne përforcojmë kombin shqiptar dhe garantojmë suksesin dhe jetëgjatësinë e tij.
Gjatë gjithë diskutimit, asnjë pyetje nuk ishte tepër e vogël dhe asnjë ide nuk ishte tepër e madhe. Të rinjtë që ishin të pranishëm gjurmuan origjinën e tyre nga rajone të ndryshme të Shqiptarisë dhe përfaqësonin një sërë fushash profesionale, duke përfshirë drejtësinë, inxhinierinë, shkenca politike, mjekësinë, biznesin, etj. Ata kërkuan përmirësimin jo vetëm të të rinjve ku jetojnë aktualisht, por edhe të atyre që jetojnë në atdhe. Temat që u diskutuan përfshijnë: rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, ndihmën ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta në Shkodër, përfshirjen e identitetit shqiptar në projektet e tyre shkollore, nxitjen e të rinjve për të marrë pjesë në ngjarjet e komunitetit, aksesin ndaj mjekimeve në Shqipëri, dhe shumë të tjera. U ra dakord që të rinjtë t’i nënshtrohen një procesi vetë-realizimi për të forcuar lidhjen e tyre me identitetin e tyre shqiptar, sepse pikërisht ky forcim dhe mirëkuptim do të prodhojë motivimin e nevojshëm për t’iu përkushtuar çështjes të madhe kombëtare.
Në përgjithësi, ngjarja ishte një përvojë gjallëruese për të gjithë ata që moren pjesë. U krijuan lidhje mes atyre me interesa të përbashkëta, si znj. Çunmulaj dhe z. Gjonaj premtuan se do të jenë të disponueshëm për nevojat e të rinjve, dhe të pranishmit premtuan se do të organizojnë një takim të ngjashëm në të ardhmen e afërt.
Qoftë ky i pari nga shumë takime mes të rinjve tanë!