Të dashur të rinj e të reja,
Duke ju përgëzuar për këtë iniciativë dhe për vendosmërinë që ta kultivoni dhe zhvilloni edhe më shumë frymën e Çarshisë tonë duke përqëndruar aktivitetet tuaja pikërisht këtu, mbi kalldërmën dhe nën çatitë që janë dëshmitarë të urtë të historisë tonë, më lejoni të them disa fjalë në emër të Levizjes Demokratike.
-Si fillim, deshiroj t’ua bëj me dije të gjithëve se LD është nismë tërësisht e re – nuk është as vazhdimsi, as fraksion, as pjesë e ndonjë subjekti ekzistues politik në RMV. Pikërisht kjo është edhe arsyeja përse na e kanë frikën dhe na godasin fuqishëm!
Pra, LD është lëvizje e re – JO VETËM politike në RMV, dhe ajo paraqet shans për gjeneratën e re, pikë kthese në kulturën tonë të deritanishme politike, dhe vlerë të shtuar në ambientin tonë të kontaminuar politik, të qelbur nga korrupsioni, të armiqësuar deri në gjak nga ofendimet, urrejtja, dhe fryma e përçarjes! LD është organizatë politike e të rinjëve për të rinjët! Është organizata politike e të gjithë atyre që prej se kanë lindur para 20 e kusur vitesh, në pushtet dhe në politikë është hiç pa ndërprerje e njejta parti politike. Pra, LD është partia që do ta rrëzoje regjimin e fundit komunist ndër shqiptare, pra, BDI-në!
-Se dyti, LD është pikërisht ndryshimi që juve ju ka munguar. Gjenerata juaj nuk është rritur me komplekse inferioriteti dhe nuk vuan nga nevoja për të qenë e përfaqësuar do si do në politikë. Gjenerata juaj flet në gjuhën që mosha e mesme me zor e kupton; ju jeni fryma e mijëvjeçarit të ri dhe refuzoni të identifikoheni e të përfaqësoheni nga ata që komprometojnë vlerat e Rilindjes kombëtare duke i përdorur si fasadë për të mbuluar diktaturën e fundit komuniste në Europë! Pra, LD është përgjigja që ju keni kërkuar, është alternativa politike e shumëdëshiruar!
– LD është struktura politike e cila lindi si përgjigje ndaj regjimit të njëmendësisë të instaluar në politikën shqiptare në RMV për më shumë se 20 vjet. LD është lëvizje të cilën e prodhoi mohimi i lirisë së shprehjes, ndalimi i fjalës së lirë, mbyllja e mediave të lira dhe hapja e mediave partiake që zyrat i kanë nëpër ministri! LD lindi si rezultat i suspendimit të autonomisë së universiteteve dhe instalimit të pseudo profesorëve të dëgjueshëm partiak, pa integritet akademik, pa paverësi politike, dhe të orientuar ndaj politikanëve e jo ndaj studentëve! LD është kushtrimi i një ere të re politike që bazohet në konceptin themelor të demokracisë që është pikërisht LLOGARIDHËNIA dhe PËRGJEGJËSIA e pushtetit përpara zgjedhësve të tij!
– LD pra, është struktura politike që do të sjell qeverisje të re – qeverisje të bazuar tek liria e individit, mosrevanshizmi politik, institucionet e çliruara nga kthetrat e partisë dhe shefave partiak, dhe qeverisjes së bazuar mbi garën e ideve, jo mbi garën kush me shume ka vjedhur!
Të dashur të reja e të rinj,
Si do të arrijmë ta rikthejmë besimin e të rinjëve tek politika?
– Sot i riu shqiptar refuzon politikën sepse e din që nuk i çmohet dija por serviliteti ndaj pushtetarit – LD do të krijojë shanse të bazuara në merita dhe dije!
– Sot i riu shqiptar niset në perëndim sepse pushtetarët e kanë gënjyer se do të bëhet mirë në vendlindjen e tij – LD ka koncept për ndaljen e emigrimit dhe për kthimin e të rinjve!
– Sot i riu shqiptar është apatik dhe apolitik sepse për çdo dite shikon si pushtetarët shqiptarë keqpërdorin funksionin dhe paratë publike dhe për këtë nuk ka ndjekje dhe përgjegjësi, as etike, as politikë, as penale – LD angazhohet që sundimi i të drejtës të kthehet në normë themelore mbi të cilën do të rindërtohet shoqëria jonë!
– Sot i riu shqiptar nuk i drejtohet gjykatës për të kërkuar të drejtat e tij, sepse e din që gjykatat ndajnë fatin e qytetarit në bazë të urdhërave partiake e jo në bazë të ligjeve të vendit- LD do të angazhohet për reformimin dhe pavarësimin e mirëfillte të gjyqesorit si pushtet i pavarur në çdo sistem demokratik!
Sot i riu shqiptar shpëtimin e kërkon nëpër kazino, sepse pushtetari KAZINOTË ia ka ofruar si përgjigje ndaj mjerimit social!!! Kazinotë ndërkohë, po na shkatërrojnë familjet! LD nuk do te ndalet derisa të mbyllen kazinotë dhe lojërat tjera të fatit që po na helmojne fëmijet dhe rininë!
– Sot i riu shqiptar ka frikë të shprehë mendimin lirshëm sepse i kërcënohet revanshizmi politik i pushtetarëve. Per çdo ditë të rinjtë pranojnë thirrje e telefonata kërcënuese e shantazhuese për mendim të shprehur ndryshe. KA ARDHUR KOHA PËR NDRYSHIM!
Sot, me të drejtë, secili prej jush pyet: përse LD, përse tani?
Përgjigja është e thjeshtë – sepse:
BOLL ishte me përçarje, intriga, kurthe;
BOLL ishte me korrupsion, nepotizëm, klientelizëm, pasurim të paligjshëm;
BOLL ishte me pushtetarë të përjetshëm;
BOLL ishte nga kazinotë, automatet, lojërat e pista të fatit;
BOLL ishte me universitete të kapura nga pushteti;
BOLL ishte me prokurori e gjykata të kontrolluara politikisht;
BOLL ishin largimet nga puna për revansh politik;
BOLL ishte nga shteti i kapur.
Ndryshimi ka filluar. LËVIZ!