Takimi Xhaferi Filipidu: Vazhdon bashkëpunimi dhe mbështetja e përgjithshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë si fqinjë të ngushtë, partnerë dhe aleatë
Takimi Xhaferi Filipidu: Vazhdon bashkëpunimi dhe mbështetja e përgjithshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë si fqinjë të ngushtë, partnerë dhe aleatë
Publikuar 15:05 10 Shkurt, 2024
Kryeministri Talat Xhaferi takoi sot ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofia Filipidu.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimi i frytshëm në përgjithësi mes dy vendeve, si fqinjë, partnerë dhe aleatë të ngushtë në NATO. Njëkohësisht, u shkëmbyen mendime për situatën aktuale politike dhe u shqyrtuan masat dhe aktivitetet që Qeveria i zbaton në drejtim të implementimit të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës dhe organizimi i zgjedhjeve të dyfishta të ardhshme në vend.
Kryeministri Xhaferi theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet fuqimisht e vendosur dhe e përkushtuar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh me Greqinë dhe do të vazhdojë të manifestojë bashkëpunim konstruktiv dhe aktiv në të gjitha fushat në periudhën e ardhshme.
Duke falënderuar Greqinë për mbështetjen e integrimit evropian të vendit, si dhe për bashkëpunimin aktiv në kuadër të NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, Xhaferi shprehu shpresë se të dy shtetet do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive drejt realizimit të vizionit të përbashkët për një rajon ekonomikisht të prosperuar dhe stabil, të integruar në familjen e madhe evropiane të kombeve.
Kryeministri e informoi ambasadoren se Qeveria do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, me të cilën u hap një kapitull i ri në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, dhe në këtë drejtim shprehu pritje për përmbushjen e detyrimeve të marra nga të dyja palët.
Ambasadorja Filipidu ia uroi zgjedhjen për Kryetar të Qeverisë dhe shprehu shpresën se bashkëpunimi i frytshëm i deritanishëm me Xhaferin dhe energjia dhe përkushtimi i tij personal i investuar si Kryetar i Kuvendit në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, do të vazhdojë edhe në pozitën e tij të re. Filipidu e riafirmoi mbështetjen e Greqisë për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që u konfirmua edhe personalisht në letrën e urimit të Kryeministrit grek Kirijakos Micotakis drejtuar Kryeministrit Xhaferi, me marrjen e tij të postit të Kryetarit të Qeverisë.
Në takim u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e këmbimit tregtar, për investimet strategjike në energjetikë, si dhe u konfirmua përkushtimi që në të ardhme të punohet në pëforcimin akoma më të madh të lidhjeve ekonomike dhe investimeve në infrastrukturë dhe në ndërlidhjen reciproke.