AKTUALE

Xhaferi – Reka: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe mundësia reale për anëtarësim në BE deri në vitin 2030 nuk duhet humbur

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u takua sot me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vend, Fatos Reka. Siç bën të ditur Pres shërbimi qeveritar, në takim u përcollën urimet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për zgjedhjen e kryeministrit Xhaferi në postin e kryetarit të Qeverisë si edhe për zgjedhjen e qeverisë së re.

Me këtë rast janë theksuar marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si një shembull domethënës i marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon, të cilat janë një kontribut serioz për stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe njëherazi edhe të kontinentit evropian.


“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, siç u konstatua, zhvillohen me sukses në rrugën evropiane dhe meritojnë anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian në një proces dinamik deri në vitin 2030. Kjo, siç u vlerësua, është me rëndësi për qytetarët e të dy vendeve, por edhe për stabilitetin evropian, për shkak të kontekstit aktual gjeopolitik dhe prandaj mundësia shumë reale e deritanishme e integrimit evropian për të dyja vendet nuk duhet humbur”, thuhet në komunikatë.

Në këtë drejtim, Xhaferi ka thënë se Qeveria e re kalimtare e cila bazohet në koalicionin pro-evropian, vazhdon të punojë në përputhje me kursin e politikës pro-evropiane, qëllimi i së cilës është cilësia e jetës së qytetarëve me standarde evropiane. Para së gjithash, Kryeministri Xhaferi posaçërisht theksoi fokusin e Qeverisë në organizimin e zgjedhjeve të qeta, korrekte dhe demokratike, si edhe në disa ciklet e mëparshme zgjedhore.

Në pjesën e zhvillimit të bashkëpunimit, thuhet në kumtesë Xhaferi dhe Reka u pajtuan se ekziston një vendosmëri e përbashkët për forcimin e integrimit ekonomik rajonal, siç dëshmojnë protokollet tashmë të nënshkruara për zbatimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, si edhe për lidhjen e ndërsjellë të skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. U diskutua edhe për përkushtimin për lidhjen infrastrukturore përmes korridoreve 8 dhe 10, që sjell përfitime ekonomike për të dy vendet.

Related posts

Buxheti i vitit të ardhshëm,Mexhiti: Fokusi në decentralizimin e komunave

Gjyla Halili

Dalin shifrat sa shqiptarë kërkuan azil në Angli në vitin 2022

admin

Dita e Evropës solli në Ohër shkëlqimin e Ansamblit shqiptar të RMV

admin