AKTUALE

Kryeparlamentari Xhaferi priti në takim ambasadorin letonez, Eduardas Borisovas


Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me SH.T. Eduardas Borisovas, ambasador i sapoemëruar i Lituanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai e uroi ambasadorin për zgjedhjen e tij dhe i dëshiroi punë të suksesshme në përforcimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona. Shprehu mbështetjen për vendimin e Lituanisë për hapjen e zyrës në Shkup, që është shprehje e marrëdhënieve të ngushta miqësore dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Më tej, Kryetari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që merr vendi ynë për anëtarësimin në BE, si dhe për gatishmërinë për të shkëmbyer përvoja përgjatë rrugës. Sidomos në këtë kohë sfidash serioze gjeopolitike dhe ekonomike në Evropë dhe botë, për të cilat shpreson për mbështetjen e mëtutjeshme të Republikës së Lituanisë për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Borisovas theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Lituanisë, si vende anëtare të NATO-s, kanë përgjegjësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Lituania përpiqet për zgjerimin e BE-së drejtë Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që procesi i zgjerimit të Bashkimit të vazhdojë, bazuar në parimin e meritës, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që ato të bëhen anëtarë të plota të Bashkimit sa më shpejt që të jetë e mundur, përkatësisht deri në vitin 2030.

Të dy bashkëbiseduesit u angazhuan për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, si dhe bashkëpunimin në fushën e hulumtimit ndërmjet universiteteve të dy vendeve. Ata ranë dakord se lidhjet ndërmjet parlamenteve nacionale duhet të mbahen dhe thellohen, pasi forca e diplomacisë parlamentare mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe.

Related posts

Gjykata refuzon 6 ankesa, Frontit Europian i rrezikohen dy deputetë

Gjyla Halili

Kujt i pengon Alsat-M? SHGM reagon ndaj kërkesës për t’ia marrë licencën këtij televizioni!

admin

Prof. Dr. Bashkim Ziberi emërohet këshilltar i Bilall Kasamit për arsim dhe shkencë

Gjyla Halili