Si çdo vit më 18 dhjetor ditën kombëtare të Diasporës, Këshilli Kombëtar i Diasporë ka zhvilluar mbledhjen vjetore. Një moment bilanci ky për punën e bërë gjatë këtij viti, por edhe për rizgjedhjen e kandidatëve të rinj. Mandati i 15 të zgjedhurve të parë përfundoi. Një mandat në kohë të vështirë, tërmeti i nëntorit 2019, dy vite pandemi, shkrirja e institucionit tw ministrit tw Shtetit pwr Diasporën, pezulli administrativ dhe në fund mbyllja e mandatit. 2/3 e Këshillit të parë nuk janë më, pjesë e tij janë emra të rinj, profesionistë e aktivistë të komuniteteve që përfaqësojnë. Emra ti rinj, frymë e re, prej tyre pritet shumë!!!
Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili në fjalën e tij, falenderoi anëtarët e mëparshëm të Këshillit për kontributin e tyre.
Duke i uruar mirëseardhjen anëtareve të rinj Gjonaj theksoi se Diaspora luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe nuk e ka harruar borxhin që e ka për tokën amë e për gjithë trojet shqiptare.
“Ajo jep kontributin në fushat e kulturës, ekonomisë dhe jetës sociale që mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për atdheun dhe për shtetet që jetojnë tani. Diaspora nuk është eksperiment as talking points (temë diskutimi). Është një resurs që nuk është shfrytëzuar siç duhet. Ka ardhur koha që Shqipëria ta konsiderojë Diasporën si partner dhe asset. Minimumi Shqipëria duhet ti japi të drejtën e votës Diasporës që është një e drejtë themelore” tha ndër të tjera në fjalën e tij Gjonaj.
Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, z. Igli Hasani falënderoi anëtarët duke theksuar se Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre.
“KKD-ja është instrumenti më i rëndësishëm që ka shteti shqiptar për të komunikuar dhe për të ndërtuar ura lidhëse me Diasporën dhe unë jam besimplotë që ekipi që jeni formuar aty do të dijë ta çojë përpara misionin e vet në mënyrën më të mirë.
Kjo mbledhje vjetore vjen pak jave pas samitit të diasporës i cili ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer ide konkrete mbi mënyrat se si duhet të punojmë së bashku në çdo fushë për të zgjedhuar dhe konsoliduar bashkëpunimin mes nesh” tha ai duke shtuar se “ Mesazhi që unë mora nga samiti është që Sfida qe keni përpara është vërtet e madhe sepse pavarësisht punës së madhe e shumë të mirë që është bërë në vite nga të gjithë ju në kuadër të këshillit apo në mënyrë të pavarur ne vetëm sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e një potenciali të jashtëzakonshem dhe them se vetëm sapo kemi hedhur themelet e bashkëpunimit me Diasporën”.
Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj prezantoi projektet dhe angazhimin që ka kjo ministri për diasporën shqiptare.
Z. Lavdrim Krrashi, Kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, ndër të tjera u ndal në të drejtën e votës duke theksuar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë parashikuar të drejtën e diasporës për të votuar dhe si ligjëvënës janë angazhuar në dhënien e kontributit në drejtim të mundësimit dhe përmirësimeve ligjore që i shërbejnë interesit të diasporës sa i takon votimit nga jashtë vendit.
Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe z.Ilirian Celibashi, i cili në fjalën e tij siguroi bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të realizuar votën e diasporës.
Znj. Romina Kuko theksoi rëndësinë e regjistrimit të adresave të diasporës shqiptare dhe punën që po bën Ministria e Brëndshme për të thjeshtuar procedurat e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania.
Në pjesën e dytë anëtarët u njohën me aktivitetet e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe Qendrës së Studimeve dhe publikimeve për Arbëreshët.
Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës kanë ndjekur me kujdes prezantimin e gazetës Diaspora Shqiptare, punën, sfidat dhe zhvillimin e saj, si dhe impaktin që ka pasuar në Diasporë. Gazeta ka trajtuar me sukses historitë dhe çështjet e komunitetit shqiptar në botë.
Me rëndësi, nga kjo mbledhje ishte miratimi i ndryshimeve në Rregulloren e Këshillit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Angela Paparizo si dhe sekretare znj. Ira Londo.
Fjala e plotë e kryetarit të KKD Mark Gjonaj.
Gëzuar ditën e Diasporës
Kanë kaluar 4 vjet që kur është formuar KKD. Gjatë kësaj kohe kemi kaluar më të vështirat, dy vjet të paimagjinueshëm të pandemisë, një tërmet dhe ndryshimet e strukturave të KKD-së. Një periudhë që ka pikëpyetje dhe është çudi që ekziston akoma KKD sot. Po marr këtë minutë që të nderoj ish antarët themelues të KKD-së. Po e filloj me ish kryeministrin dhe ministrin e Diasporës z. Pandeli Majko, Ardian Radovicka, Adriana Bejko, Bashkim Beqiri, Endri Hatillari, Gazmend Kapllani, Namik Shabani, Visar Tasimi, Sokrat Sina. Një falenderim i madh për shërbimin e tyre dhe ditët e panumërta që kanë dedikuar për çështjen e KKD-së. Për vullnetin e tyre që e kanë mbajtur KKD-në me zor. Që kanë qenë zëri i lartë për diasporën. Kanë bërë sakrifica dhe kanë dhënë kontribut vetëm për interes të mërgimtarëve dhe fëmijët e tyre që kanë lindur në tokë të huaj. Një falenderim për Anila Hykën, Brikena Muharremi, Ardian Lekaj, Rosario Petën dhe Lazim Destanin që po vazhdojnë mandatin e dytë në KKD. Do të përshëndes anëtarët e rinj të KKD-së. Familja është shtuar. Emina Çunmulaj nga SHBA, Drita Gjongecaj nga SHBA, Sezar Jakupi nga Australia, Ira Londo dhe Ermal Sulaj nga Greqia, Mirela Mezani nga Zvicra, Anxhela Paparizo nga Kanadaja, Besmir Rrjolli nga Italia, Vaxhid Sejdiu nga Zvicra. I falenderoj sepse për një muaj është e dyta herë që po vijnë në tokën amë që po i lënë familjet, kohën e punën që të japin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Falenderimet më të mëdha për meritat e tyre.
Historia e Shqipërisë është shqiptari vet që përfaqëson shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, në Kosovë në Mal të Zi në Maqedoninë e Veriut, Çamëri, Luginën e Preshevës edhe vet Diasporë.
Edhe pse gjeografia na ndan edhe kufijtë na ndajnë nëpër shtete është kultura, historia, gjuha dhe dashuria për kombin tonë që na bashkon, e që gjithë zemrat e shqiptarëve rrahin njëlloj kudo që janë në botë.
Diaspora luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe nuk e ka harruar borxhin që e ka për tokën amë e për gjithë trojet shqiptare. Që jep kontributin në fushat e kulturës, ekonomisë dhe jetës sociale që mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për atdheun dhe për shtetet që jetojnë tani. Diaspora nuk është eksperiment as talking points (temë diskutimi).
Është një resurs që nuk është shfrytëzuar siç duhet.
Ka ardhur koha që Shqipëria ta konsiderojë diasporën si partner dhe aset.
Shteti ynë duhet të mbrojë, të investojë në Diasporë në të drejtat e tyre. Jo vetëm me fjalë por me vepra. Minimumi Shqipëria duhet ti japi të drejtën e votës Diasporës që është një e drejtë themelore.
Jam mëse i gëzuar dhe i kënaqur me anëtarët e KKD-së dhe me ministrin Hasani bashke me institucionet që plotësojnë KKD-në. Jemi partnerë, kemi një energji, një vullnet që është një urë lidhëse me diasporën dhe me linjën tonë. Dhe që kemi punuar për të mirën e kombit tonë. Ai që nuk e do kombin nuk e do as zotin as vetveten. Le të përveshim mëngët sepse puna qe pret ta bëjmë së bashku do të flasë vet. FALEMINDERIT